Zotohet Lladrovci: Do punojë 24 orë në ditë për t’i realizuar premtimet (Video)

3 vite më parë

Zotohet Lladrovci: Do punojë 24 orë në ditë për t’i realizuar premtimet (Video)

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, premton se do të bëjë zvogëlimin e numrit të papunësisë si dhe do të investojë më shumë se 72 milionë euro.

Në një intervistë dhënë për Ekonomia Online ai ka theksuar se edhe pse numri i të papunëve është vështirë për t’u zvogëluar, por do ta bëjnë një gjë të tillë.

Ai madje ka theksuar se për Drenasin do të punojë 24 orë në ditë për të realizuar premtimet e dhëna.

“Me fillimin e punimeve e investimeve në Parkun e Biznesit Industrial të Drenasit 2 ne do ta zbusim shumë papunësinë. Sigurisht kjo do të merr kohë, sepse edhe ato kompani të mëdha vendore apo ndërkombëtare që do të vijnë për të investuar aty do të marrin kohë deri në finalizimi i fabrikave të tyre për t’i punësuar të rinjtë dhe të rejat në komunën e Drenasit”, ka thënë Lladrovci.

“E kam përmendur për këtë mandat të mbetur edhe për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, por nuk do të jenë 72 milionë do të jenë më shumë se 72 milionë që të investojmë kryesisht në rrugë, në shkolla, në çerdhe fusha sporti, në objekte shëndetësore, në bujqësi e të tjera”, ka thënë ai.

Lladrovci thotë se premtimet e dhëna gjatë fushatës do të jenë më të vogla karshi punëve që do t’i realizojë.

Ai ka theksuar se qytetarëve të Drenasit do t’ua sigurojë ngrohjen nga “Ferronikeli”, ku sipas tij, sivjet do të fillojë instalimi i ngrohjes qendrore për qytetin e Drenasit.

“Ministri Blerand Stavileci tani më është në fillimin e procedurave për këtë çështje dhe sa të përfundojnë procedurat besoj se deri në fund, ose pjesën e tretë të këtij viti të fillojmë edhe me procedurat për instalimin e ngrohjes qendrore për qytetin e Drenasit. Sigurisht kjo do të zgjasë sepse është një projekt i madh por që ne do ta fillojmë këtë vit”, ka thënë ai.

Ladrovci ka treguar pse ka zgjedhur 29 dhjetorin për të dhënë betimin e kryetarit të komunës së Drenasit, duke e quajtur ditë të veçantë për të.

Gjatë intervistës ai po ashtu ka treguar se a do të kandidojë për kryetar të Drenasit në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen sivjet. Ai ka folur edhe ndërrimin e disa drejtorëve, barazinë gjinore në komunë, e çështje tjera…