Zjarrfikësit dhe ushtarët e Kosovës trajnohen për mbijetesë dhe shpëtim në ujëra

4 javë më parë

Zjarrfikësit dhe ushtarët e Kosovës trajnohen për mbijetesë dhe shpëtim në ujëra

Në Qendrën e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim në Pomozotin, është mbajtur ceremonia e certifikimit të zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të FSK-së, të cilët kanë përfunduar Kursin për mbijetesë dhe shpëtim në ujëra, transmeton AktivPress.

Gjatë trajnimit një javor dhe mjaft intensiv pjesëmarrësit mësuan për mënyrat e shpëtimit dhe dhënien e ndihmës mjekësore, si persona të parë në vendngjarje, personave që ballafaqohen me rrezik mbytjeje apo vështirësi të tjera në ujëra.

Ata mësuan se si të krijojnë pajisje të improvizuara lundrimi me mjete përreth tyre, si dhe praktikuan improvizimin e litarëve me rroba, rripa, lidhëse çizmesh etj. për shpëtimin e viktimave nga mbytja.

Gjithashtu pjesëmarrësit lundruan nëpër lumenj, në mënyrë që të mësonin praktikisht sa më shumë teknika për kërkimin e viktimave në ujëra.

Me stërvitjen që po zhvillohej ditë e natë, një nga detyrat më të vështira ishte përfundimi i notit në Liqenin e Batllavës, në një distancë mjaft të gjatë dhe në kushte të papërshtatshme notimi, me uniforma të veshura dhe me çanta në shpinë, të cilat duheshin përdorur si mbështetëse lundrimi./AktivPress/