Zjarr në Laç, rrezikohen edhe banesat

3 vite më parë

Zjarr në Laç, rrezikohen edhe banesat

Të paktën 5 ekipe zjarrfikëse, 100 forca të ushtrisë dhe helikopterë, prej orësh luftojnë me flakët në kurorën e gjelbër të qytetit të Laçit.

Flakët janë afruar deri tek kisha e Shan Andout, ku ka pasur edhe shumë besimtarë, pasi ka qenë ditë e martë, një ditë ku ky vend i shenjtë për besimtarët vizitohet më shumë.

Situata duket kritike, pasi rrezikohen edhe shumë banesa, ndërsa raportohet se është shtuar numri i zjarrfikseve dhe njerëzve të angazhuar në operacionin për vënien nën kontroll të flakëve.

“Vatrat e zjarrit shpërthyen njëherazi, çka do të thotë që nuk është një zjarr i rastësishëm në një vatër, por disa vatra, duke filluar që nga rajoni i kishës së Laçit, deri në kurorën mbi qytet. Është një hapësirë e madhe, e konsiderueshme” u shpreh kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi.

Zjarri që u përhap me shpejtësi, dyshohet të jetë i qëllimshëm. Ndërkohë vatra e zjarrit dhe pse u tha se është vënë nën kontroll, vazhdoi të digjet edhe gjatë mbrëmjes, siç e tregojnë videot e qytetarëve të shumtë, që i kanë dërguar në numrin e ‘Ti raporton!’, në Top Channel.