Zidane, afër të japë dorëheqje nga Real Madridi

12 muaj më parë

Zidane, afër të japë dorëheqje nga Real Madridi

Real Madridi pritet të bëjë ende punë gjatë këtij afati kalimtar të verës, mirëpo dështimi për ta transferuar mesfushorin e Manchester Unitedit, Paul Pogban, ka bërë që Zinedine Zidane ta shqyrtojë mundësinë e dhënies dorëheqje.

The Independent raporton se dështimi i Real Madridit për ta blerë Paul Pogban ia ka bërë të qartë trajnerit Zinedine Zidane se ai nuk i ka të njëjtat pikëpamje me presidentin Florentino Perez, transmeton Gazeta Express.

Kur Zidane u kthye në pozitën e trajnerit, në mars, për ta kthyer në formë skuadrën që kishte hyrë në krizë nën urdhrat e Julen Lopeteguit e Santiago Solarit, Zidane tha se gjërat në skuadër do të ndryshohen para fillimit të sezonit të ri.

“Do t’i ndryshojmë gjërat, jam i sigurt”, përsëriti Zidane vazhdimisht pas kthimit në “Santiago Bernabeu’. Ai i bëri të qarta synimet e tij përmes kërkimit të lojtarëve si Pogba, Eden Hazard e Kylian Mbappe.

Ndërkohë, lojtarët të cilët nuk kishin qenë në formë të mirë gjatë sezonit të fundit pritej të largoheshin këtë verë. Në këtë liste spikaste emri i Gareth Bale, i cili ka qenë për një kohë të gjatë me “Los Blancos’.

“Kthimi i Zidane ishte pothuajse një veprim heroik”, kishte thënë Jorge Valdano në maj. “Ai e dinte se po rrezikon, por e mori këtë rrezik në mënyrë që të mundë ta dizajnojë skuadrën për sezonin e ardhshëm.

Fjalët e Valdanos u vlerësuan si të vetëkuptueshme në atë kohë dhe u konfirmuan edhe nga drejtuesit e klubit madrilen. “Zidane ka kontroll të plotë”, kishte thënë agjenti i Bale, Jonathan Barnett në fund të sezonit të kaluar.

Transferimi i shpejtë i Hazardit nga Chelsea bëri që në media të raportohej se projekti i Zidane po shkonte në mënyrë të përsosur. Megjithatë, Mbappe deklaroi publikisht se ai nuk do të largohet nga PSG-ja dhe Pogba mbeti synimi kryesor për pjesën tjetër të verës.

Por, dështimi për ta sjellë Pogban në skuadër e ka lënë të zhgënjyer Zidanin, i cili beson se nuk i janë ofruar kushtet e nevojshme për të pasur sukses me Real Madridin sezonin e ri. Për të mos e prishur rekordin e tij mbresëlënës me madrilenët, francezi mund edhe të japë dorëheqje. /Gazeta Express/