Zgjedhjet e 14 shkurtit, Bytyçi: Epokë e re për Kosovën, klasa e vjetër po largohet

1 muaj më parë

Zgjedhjet e 14 shkurtit, Bytyçi: Epokë e re për Kosovën, klasa e vjetër po largohet

Në një intervistë për RTV Ora, analisti dhe njohësi i çështjeve të rajonit, Enver Bytyçi ka komentuar fushatën elektorale në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen më 14 shkurt.

Sipas tij, këto zgjedhje vijnë në kushte dhe rrethana të tjera, jo si rezultat i vullnetit të shumicës, por si rezultat i presionit të opozitës.

Bytyçi u shpreh se, përsa kohë procesi çon drejt ndryshimit thelbësor të një epoke dhe kalimin drejt një epoke të re të zhvillimeve në Kosovë do të thotë që procesi është pozitiv.

Enver Bytyçi: Zgjedhjet e dekadës së fundit, ose të 5 viteve të fundit janë më të shumta zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Nuk kanë qenë zgjedhje sipas afatit kushtetues, një herë në katër vite. Si zgjedhje të parakohshme ato kanë ardhur në shumicën e rasteve si vullnet i shumicës së popullit, kur shumica ka parë se e dominon skenën politike dhe është e favorshme situata për të. Ka krijuar mocion mosbesimi dhe vendi ka shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Por dy palë zgjedhje dhe kjo e treta vijnë në kushte dhe rrethana të tjera, jo si rezultat i vullnetit të shumicës por si rezultat i presionit të opizitës, i presionit për ndryshim në Kosovë. Zgjedhjet e 14 shkurtit janë në vazhdën e dy palëve zgjedhjeve të mëparshme dhe për pasojë mendoj se zhvillimet janë pozitive. Derisa procesi çon drejt ndryshimit thelbësor të një epoke dhe kalimin drejt një epoke të re të zhvillimeve në Kosovë do të thotë që procesi është pozitiv.

Sipas studiuesit, klasa e vjetër politike, jo nga mosha por për nga drejtimi i shtetit në Kosovë, tashmë po largohet nga skena politike, nga qeverisja dhe po vjen një brez i ri që ka krijuar shpresën dhe premisën se do të ndërtojë një Kosovë ndryshe.

Sa i përket moskandidimit për deputet të kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti, Bytyçi u shpreh se: “Deputetët që kanë marrë dënime penale të formës së tretë në vitet e fundit nuk mund të kandidojnë për detyrën, postin apo funksionin e deputetit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që lejohet të kandidosh për kryeministër të Kosovës. Është një lloj paradoksi, megjithatë unë kam gjykuar se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Avantazhi është se, ky është një lloj mekanizmi për pastrimin e politikës në Kosovë, elitën politike nga elementi kriminal, nga njerëz të korruptuar dhe nga njerëz problematikë dhe të fortë, që garantojnë vota por nukl garantojnë zhvillime pozitive për vendin.

47 veta që preken nga ky vendim i bëjnë mirë Kosovës. Por nga këta 47 veta, Albin Kurti dhe disa të tjerë i përkasin një kategorie të cilët janë dënuar për aksione politike dhe jo për korrupsion apo për veprimtari kriminale ordinere”.