Zemaj: Po i rrisim kapacitetet në luftë kundër pandemisë Covid-19

3 javë më parë

Zemaj: Po i rrisim kapacitetet në luftë kundër pandemisë Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka treguar se janë duke u rritur kapacitetet në luftën kundër COVID-19.

Ai ka njoftuar se janë shtuar 20 inspektorë sanitarë, ndërsa po ashtu ka njoftuar se në ditët në vijim pritet të fillojnë punën edhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë dhe gjashtë punonjës të stafit teknik.

Postimi i plotë i ministrit të Shëndetësisë në Facebook:

Kapacitetet tona po rriten.

Edhe 20 inspektorë sanitar iu shtuan luftës kundër Covid-19.

Këta do të jenë të angazhuar në tërë Kosovën.

Do të mbikëqyrën nga inspektorati përkatës që funksionon në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në vijim do të fillojnë punën edhe 100 mjekë, 62 infermierë, 8 laborantë, 6 punonjës staf teknik dhe mbështetës.

Kjo po bëhet në kuadër të rritjes së kapaciteteve të luftës kundër pandemisë Covid-19.

Inspektorët e rinj do të kryejnë inspektime sanitare, kontrolle për sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, higjienës së ushqimit, përpunimit, tregtimit, paketimit, ripaketimit, deponimit, transportimit të ushqimit.

Do të zbatojnë legjislacionin për Parandalimin dhe luftimin e Sëmundjeve ngjitëse.

Do të inspektojnë institucionet publike dhe private, produktet ushqimore dhe jo ushqimore; shtesat dhe aditivët në ushqim; higjienën në institucione publike dhe private; ujin për pije, pijet freskuese dhe joalkoolike; subjektet afariste të cilat merren me ushqim, përfshirë edhe zbatimin e parimeve të sistemit HACCP për kontrollin e ushqimit; objektet hoteliere.

Do të japin pëlqime sanitare për kushtet sanitaro – teknike dhe higjienike në procesin e dhënies së lejeve ndërtimore për objektet.

Ju lutemi respektoni masat mbrojtëse!

Vendosni maskat!

Ruajeni distancën!

Mbajeni higjienën personale e kolektive!

AKTIV PRESS