Zemaj: Nëse rritet numri i rasteve me COVID-19, do të vendosim kufizime të lëvizjes

1 muaj më parë

Zemaj: Nëse rritet numri i rasteve me COVID-19, do të vendosim kufizime të lëvizjes

Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës me COVID-19, është mbledhur sot për të diskutuar për situatën epidemiologjike në vend.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nesër do të vlerësojnë edhe njëherë masat si dhe do të shikojnë kategorizimin e komunave.

Ai ka deklaruar se nëse rritet edhe më tej numri i rasteve të infektuara, do të ashpërsohen masat mbrojtëse ndaj këtij virusi, si dhe do të vendosen kufizime të lëvizjes.

“Do të vlerësohen edhe më tej masat dhe aktivitetet për të parandaluar infeksionin. Nëse kemi rrezikshmëri dhe rritje të numrit të rasteve, masat do të jenë më rigoroze, do të ketë edhe kufizim të lëvizjes dhe aktiviteteve tjera”, ka theksuar ai.

Zemaj ka kërkuar nga inspektorati dhe policia që të mbikqyrin respektimin e masave në fuqi, derisa ka thënë se institucionet duhet të vazhdojnë punën duke respektuar masat aktuale.

“Duhet të vazhdojë ndalesa për të gjitha takimet që konsiderohen shpërndarëse të infeksionit. Aktivitetet duhet të jenë të organizuara sipas manualit për pandeminë. Institucionet publike dhe ato private duhet të funksionojnë duke iu përmbajtur strikt manualit”, ka shtuar ai./Express/