Zbulohet trafiku i armëve Serbi-Kosovë-Shqipëri

4 muaj më parë

Zbulohet trafiku i armëve Serbi-Kosovë-Shqipëri

Një rast i trafikut të armëve dhe lëndëve eksplozive Serbi-Kosovë-Shqipëri është goditur nga policia e Elbasanit.

Në pranga ka rënë një 51-vjeçari, Y.A nga Kosova, i cili akuzohet se i trafikonte këto armë nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Ai u arrestua në rrugën nacionale Elbasan – Peqin.

“Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë” – informoi sot policia e Elbasanit.

Operacioni u kodua “Papër” dhe po vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera.

Sekuestrimi – Policia e Elbasanit ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

“Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot”, – njofton policia.

Hetimi- Operacioni nisi pasi policia në rrugë operative kishte marrë informacione për një trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve luftarake nga Serbia në Kosovë e më pas në Shqipëri. Më pas u regjistrua procedimi penal i vitit 2019, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” .