Zbulohet se çfarë bënin në Kosovë dy serbët që u arrestuan sot për spiunazh

3 muaj më parë

Zbulohet se çfarë bënin në Kosovë dy serbët që u arrestuan sot për spiunazh

Kishin mbledhur të dhëna të serbeve në Kosovë. E dokumentet që arritën t’i sigurojnë, po tentonin t’i dërgonin në shtetin serb.

Por, detyrën e tyre nuk arritën ta përfundojnë me sukses.

Kjo pasi që të mërkurën, policia kufitare tek Dheu i Bardhë, arrestoi dy persona të nacionalitetit serb, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të spiunazhit.

Serbet me inicialet T.T dhe D.D, po dyshohet që dokumentet dhe të dhënat e disa zyrtarëve komunal të Kllokotit dhe Vitisë, tentuan t’i dërgojnë në shtetin serb.

E më pas, këto dokumente, t’i përdorin për qëllimet e tyre.

Burime brenda organeve të sigurisë i kanë thënë Televizionit T7, që personat e dyshuar kanë mbledhur dokumente dhe të dhëna për kryetarin e Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanovic.

Madje këto dokument u janë kapur në veturë dy të dyshuarve. Arrestimin e konfirmuan edhe në Policinë e Kosovës

T7 ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Nga organi i akuzës, thonë se dy të arrestuarit ishin nën urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë.

Sipas Prokurorisë në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të vendosë rreth masës së sigurisë për dy të pandehurit.

Ndërkohë, njohësi i fushës së sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se kalimi i dokumenteve të tilla në shtetin serb, është gjë e rrezikshme për Kosovën.

Megjithatë, sipas Ibishit, institucionet e sigurisë në Kosovë janë duke e bërë punën e tyre dhe se nuk ka nevojë për panik.