Zbulohet plani për zbatimin e zotimeve në Shtëpinë e Bardhë

1 muaj më parë

Zbulohet plani për zbatimin e zotimeve në Shtëpinë e Bardhë

Qeveria ka miratuar një listë veprimesh që për qëllim kanë zbatimin e marrëveshjeve të Uashingtonit, të cilat kanë të bëjnë me normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha janë pjesë e një plani 16-pikësh të siguruar nga KOHA, i cili i trajton çështjet nga Ujmani e deri te raportet me Izraelin.

“Tani pritet nga dikasteret që janë nën përgjegjësinë tuaj të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtyre aktiviteteve apo veprimeve të dhëna në këtë dokument. Janë disa aktivitete ku përgjegjësia bie në më shumë se një institucion dhe për qëllime të lehtësimit të koordinimit dhe zbatimit të këtyre aktiviteteve kërkohet përkushtim dhe vëmendje e fokusuar edhe nga niveli politik”, ka thënë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Në pikat e para janë listuar veprimet që lidhen me ngritjen e autostradave dhe hekurudhave që lidhin të dyja vendet. Projektet është paraparë që kryesisht të realizohen nëpërmjet kredive, raporton KOHA.

Në pikën e pestë është vënë një zotim, sipas të cilit Kosova do të marrë pjesë në aktivitetet e Minishengenit, duke përfshirë takimin e ardhshëm të liderëve.

Pika e shtatë trajton çështjen më të ndjeshme të marrëveshjes, e që është kundërshtar në masë në Kosovë. Ajo i referohet liqenit të Ujmanit.

“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive të tjera të Qeverisë së SHBA-së duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në:

Përcaktimin e alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit;

Eksplorimin e mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit, për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm);

Sigurimin që secili rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhet në planin 16-pikësh.

Plani i miratuar të hënën zbulon se për llogari të Marrëveshjes së Uashintonit parashihet edhe ndryshimi i Ligjit për lirinë fetare, me qëllim që të jetësohet zotimi i kryeministrit Hoti në lidhje me mbrojtjen shtesë të Kishës Serbe.

Veprime janë paraparë të ndërmerren edhe në funksion të zbatimit të një moratoriumi njëvjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Lëshohet qarkorja nga MPJD-ja për të gjitha institucionet, ku kërkohet të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe ku theksohet se për një periudhë 1-vjeçare Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare”, thuhet tutje në këtë plan.