Zahir Fejza, protestuesi me autobus i demonstratave të vitit 1981

1 muaj më parë

Zahir Fejza, protestuesi me autobus i demonstratave të vitit 1981

Dyert e autobusit i kishte hapur edhe për ata që nuk kishin planifikuar të udhëtonin ato ditë nga Podujeva për në kryeqytet.

Në marsin e prillin e vitit 1981, ia kishte vënë mision vetes që të bartte sa më shumë udhëtarë për Prishtinë. Ai po i ftonte qytetarët e Podujevës për “me vdekë për Kosovë”, shkruan sot Koha Ditore.

Dhe kësaj “oferte” i ishin përgjigjur me mijëra banorë të Podujevës. Për dallim prej herëve të tjera kur po bartte funksionarë shqiptarë të asaj kohe nëpër shëtitje e seminare, kësaj here po bartte demonstrues.

Në demonstratat e studentëve të para 38 vjetëve, “protestues” ishte edhe autobusi i tipit “Sanos,” që atëkohë e drejtonte Zahir Fejza (1946).

Ai gjithnjë e kishte pasur një lidhje shpirtërore me studentët. Në fakt, ai e kishte një shpirt rebeli. Zahir Fejza, që atëkohë jetonte në fshatin Dobratin të Podujevës, asnjëherë nuk iu kishte përmbajtur vijës së rregullt kur mbërrinte në Prishtinë e që duhej të shkonte afër Stacionit të Trenit, të dilte në “Dardani”, ku tash është shtatorja e Bill Clintonit, dhe nga aty të drejtohej për në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Për hatër të studentëve gjithnjë shkonte rrugës që tash mban emrin “Agim Ramadani” deri te Mensa e Studentëve, te rrethi te QKUK-ja dhe pastaj në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Njësoj vepronte edhe kur kthehej pasdite në Podujevë. Ua kishte përshtatur orarin studentëve që kur i kryenin ligjëratat shkonte e i merrte te Mensa dhe i kthente në Podujevë. Për këtë kryeneqësi kishte marrë edhe dënime. Por aq i bënte atij. Kjo ishte koha kur gjithçka dukej e zakonshme.

E pazakonshmja kishte filluar në muajin mars, kur kishin nisur demonstratat e studentëve të vitit 1981.