Ymeri: Imponimi për votim të Demarkacionit thellon krizën politike

4 vite më parë

Ymeri: Imponimi për votim të Demarkacionit thellon krizën politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar se imponimi për votimin e Demarkacionit vetëm sa e thellon krizën politike në vend.

“Imponimi me dhunë i kësaj marrëveshje për demarkacion vetëm sa e thellon krizën politike dhe e rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Mënyra se si po sillet Qeveria nuk ka të bëjë fare me demokracinë, që funksionon me bindje, por me autokracinë kriminale, e cila funksionon me force”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Sipas Ymerit, kushti që i është vënë Kosovës për liberalizimin e vizave, nuk ka vlejtur për asnjë vend tjetër dhe se sipas tij qeveria duhet ta largojë kushtin e Demarkacionit, transmeton Aktivpress.

“Po na thonë se miratimi i demarkacionit është kusht për liberalizim të vizave. Është detyrë e qeverisë dhe e diplomacisë së Kosovës që ta heqë këtë kusht. Fakti është se ky kusht nuk ka qenë për asnjë vend tjetër, madje Ukraina e Gjeorgjia të cilave iu liberalizuan së fundmi vizat, kanë kufij të kontestuar. Ky kusht iu vu vetëm Kosovës, dhe vetëm në vitin e fundit që ka qenë vit protestash”, ka shkruar ai.

Lideri i VV-së ka deklaruar se raporti i Komisionit po kundërshtohet nga shumë njerëz pasi që sipas tij ia heq Kosovës një pjesë të tokës së vet.

“As mos e çoni nëpërmend ta shisni a ta dhuroni Kosovën. Ajo s’është as e pushtetit e as e opozitës. Thirrini mendjes!” ka përfunduar Ymeri./Aktivpress