Xhudistët elitarë kthehen në gara në rrethana të reja, por me synime të njëjta

1 muaj më parë

Xhudistët elitarë kthehen në gara në rrethana të reja, por me synime të njëjta

Në rrethana të reja, me shumë kërkesa që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit në kohë pandemie, xhudistët kosovarë kthehen në gara elitare. Garat e fundit të Turit Botëror të Xhudos, që është një seri e ngjarjeve më të mëdha, janë mbajtur në muajin shkurt.

Për shkak të përhapjes së COVID-19, garat e tjera janë shtyrë e ndërkohë edhe janë anuluar. Së fundi janë mbajtur disa gara më të vogla, ndërsa prej të premtes e deri të dielën në Budapest të Hungarisë mbahet gara e nivelit të lartë, Grand Slam.

Sipas të dhënave zyrtare të së martës mbrëma, në Budapest do të garojnë 459 xhudistë nga 69 shtete. Por për shkak të situatës me koronavirus, shifrat ndryshojnë vazhdimisht. Disa prej xhudistëve mund të heqin dorë nga gara në Budapest, për shkak të keqësimit të gjendjes me koronavirus në shumë vende.

Por, nuk pritet të ketë anulim lidhur me pjesëmarrjen e xhudistëve kosovarë. Trajneri Driton Kuka ka planifikuar çdo gjë në detaje, duke respektuar të gjitha masat e kërkuara. Kuka ka planifikuar edhe udhëtimin për në Hungari, që në rrethanat e reja është sfidues.