Weber: Merkeli duhet ta thotë publikisht atë që e tha Bideni, njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

2 muaj më parë

Weber: Merkeli duhet ta thotë publikisht atë që e tha Bideni, njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Analisti gjerman në Këshillin për Politikë dhe Demokratizim në Berlin Bodo Weber thotë se Gjermania si shtet kyç në BE përmes kancelares Angela Merkel duhet të dalë publikisht dhe ta përsëris atë që e ka thënë presidenti Biden në letrën e tij për Kosovën e Serbinë se marrëveshja finale mes dy shteteve duhet të ketë brenda njohjen reciproke. Njohësi i çështjeve politike të Ballkanit në një intervistë për Gazetën Express u shpreh se ShBA’ja duhet të përfshihet direkt në dialogun Kosovë-Serbi, nëse jo direkt në tryezën e bisedimeve diku përreth saj.

Bodo Weber poashtu u shpreh se Lajçak nuk duhet të shfaq asnjë hartë sepse sipas tij nuk ekziston mundësia që diplomati sllovak ta paraqes pozicionin e BE’së ndaj Kosovës në një hartë.

Eksperti gjerman tutje thotë se Lajçaku nuk do të zëvendësohet por do t’i vazhdohet mandati nga ana e BE’së si Emisar Special edhe pse sipas Weber’it Lajçaku ka bërë disa deklarata dëmtuese si ajo e ndryshimeve kushtetuese pa e saktësuar se çfarë nënkuptonte.

Gazeta Express: Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për EWB-në, u pa në zyrë me një hartë prapa tij, ku Kosova shihej si pjesë e Serbisë. Kjo shkaktoi shumë reagime në Kosovë. Si e komentoni këtë dhe a mendoni se ai si lehtësues duhet të jetë shumë i kujdesshëm me hollësitë rreth dy shteteve?

Bodo Weber: Definitivisht. Edhe pas shumë lëvizjeve para e prapa përmes Twitter-it dhe sqarimeve shtesë nga BE-ja dhe nga vetë Lajçaku, kjo s’u bë më mirë. Sinqerisht, unë më parë do ta këshilloja z.Lajçakun që të abstenojë nga paraqitja e çfarëdo harte, sepse nuk mendoj se ekziston mundësia që ta paraqesë “pozicionin e BE-së” në një hartë. Pozicioni i BE-së, në anën tjetër, është pozicion i një përçarjeje zyrtare rreth statusit të Kosovës, përderisa në anën tjetër, ai nuk është çfarë këmbënguli zëdhënësi i Politikës së Jashtme të BE’së, Stano, dje – neutral ndaj statusit, sepse themelet e dialogut politik, të vendosura nga marrëveshja e prillit të vitit 2013, dhe të gjitha dokumentet pasuese të BE-së, përfshirë kornizën negociuese për pranimin e Serbisë, janë të mbështetura në parimet origjinale të dialogut, që de facto është njohja e faktit që Kosova është e pavarur, përfshirë nga Serbia, përderisa ishte një qartësi jo e hapur se një legalizim i atij fakti do të qëndrojë në fund të procesit.

Gazeta Express: Administrata e Bidenit ishte e qartë se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e përqendruar në njohje reciproke, por Bashkimi Evropian thotë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pa e përmendur njohjen reciproke. A mendoni se ekziston një dallim mes ShBA-së dhe BE-së në qasjen e tyre rreth marrëveshjes përfundimtare mes dy shteteve?

Bodo Weber: Në thelb, jo – BE-ja, përfshirë z.Lajçak, është mirë e vetëdijshme se asgjë tjetër përpos njohjes reciproke nuk mund të jetë pika e fundit e bisedimeve dhe se pastaj edhe pesë shtetet jo-njohëse do ta ndryshojnë pozicionin e tyre zyrtar, jo vetëm Serbia. Por tash për tash, zyrtarët e BE-së si z.Lajçak, nuk mund ta thonë këtë haptazi. Për këtë arsye, është jetike që përfaqësues të vendeve anëtare kyçe, si kancelarja gjermane, Angela Merkel, të dalin në publik dhe ta përsërisin atë që kanë thënë më parë dhe atë që z.Biden e tha në letrën e tij për Prishtinën dhe Beogradin, në mënyrë që ne përfundimisht të arrijmë te një rinisje serioze e negociatave, duke u mbështetur në bashkëpunimin e ngushtë transatlantik.

Gazeta Express: A mendoni se në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të jetë edhe një përfaqësues i ShBA-së në tavolinë?

Bodo Weber: ShBA-ja duhet të ketë një ulëse, qoftë në tavolinë, qoftë diku afër saj.

Gazeta Express: A vlerësoni se Miroslav Lajçak ka bërë progres në dialog dhe a meriton ai një zgjatje të mandatit si përfaqësues i posaçëm?

Bodo Weber: Nuk shoh ndonjë apetit brenda BE-së për ta zëvendësuar z.Lajçak me dikë tjetër. Ai definitivisht nuk ka vepruar në mënyrë dëmtuese, siç bënë zonja Mogherini dhe ekipi i saj, dhe nuk e ka çuar përpara shkëmbimin e territoreve. Ai gjithashtu u bllokua nga udhëheqja e negociatave të vërteta pas nënshkrimit të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë dhe para largimit të administratës së Trumpit. Sidoqoftë, më duhet të them se kurrë nuk i kuptova planin dhe strategjinë pas atyre takimeve të Brukselit, edhe rreth pretendimit pas 4 shtatorit se asgjë nuk ka ndodhur, edhe në kuptimin e lejimit të palëve që t’i definojnë temat që diskutohen. Përfundimisht, sipas meje, ai ka bërë disa deklarata dëmtuese, si këmbëngulja se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare është vetëm çështje muajsh ose kur foli për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, pa sqaruar asnjëherë se cilës çështje i referohet saktësisht kjo gjë.