VV thotë se Projektligji i Thaçit s’mund ta bëjë Ushtrinë

4 vite më parë

VV thotë se Projektligji i Thaçit s’mund ta bëjë Ushtrinë

Projektligji aktual për Forcën e Sigurisë së Kosovës nuk mund ta transformojë këtë të fundit në ushtri.

Ky projektligj vetëm do ta ndihmojë FSK-në, në rritjen e kapaciteteve. Kështu u tha në konferencën me temë  “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe rregullimet ligjore”, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Visar Ymeri , kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se prej se është çliruar Kosova nga okupimi serb diskutimi për ushtrinë ka qenë përherë i  pranishëm, duke shtuar se  diskutimi për ushtrinë ka qenë i pranishëm edhe para çlirimit dhe vazhdimisht është diskutuar për atë se çfarë, si dhe pse dhe kur duhet ta formojmë ushtrinë e Kosovës njëherë e pastaj edhe ushtrinë e Republikës së Kosovës.

“Në fakt që prej vitit 1990 e veçanërisht pas viteve 1995-1996 populli i Kosovës ishte organizuar dhe kishte organizuar ushtrinë e vet çlirimtare e cila e pati luftën ose pjesën kryesore të luftës për çlirim të Kosovës nga okupimi serb dhe ky rrugëtim pastaj i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një farë mënyre prej vitit 1999 në momentin e çlirimit të Kosovës nga ushtria serbe me ç’rast edhe UÇK-ja, pushoi së ekzistuari ajo u çarmatos dhe u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, ka thënë ai.

“Më shumë kemi pasur ushtri kur kemi qenë të okupuar se sa kur kemi qenë të lirë e aq më pak kur e kemi shpallur veten shtet të pavarur dhe sovran dhe ky mendoj që është paradoksi i parë ”, ka pohuar Ymeri.

Ai më tej ka shtuar se “duke pasur parasysh rrethanat në të cilat veprojmë, duket se do duhet ta ndjekim një procedurë të shpejt që FSK-në ta bëjmë ushtri”.

“Kemi njëfarë skepticizëm të mënyrës se si është sjellë ky ligj e besa edhe ndaj personit që e ka sponsorizuar këtë ligj, Hashim Thaçit”, tha Ymeri.

E në anën tjetër, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi ka theksuar se pavarësisht vërejtjeve serioze që kanë në strukturimin e këtij projektligji, Vetëvendosje mbështet ndryshimet kushtetuese.

Selimi ka theksuar se më tej se presidenti Thaçi ka bërë një gabim të madh duke mos u koordinuar me faktorët ndërkombëtarë për këtë.