VV kërkon shkarkimin e Rikallos për t’i hapur rrugë hetimeve ndaj tij

3 vite më parë

VV kërkon shkarkimin e Rikallos për t’i hapur rrugë hetimeve ndaj tij

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin qeveritar pa u sqaruar rasti i tij.

Sipas kësaj partie, është e dhimbshme të shohësh se si qytetarët e Kosovës së pavarur ballafaqohen me torturuesit e tyre të dikurshëm.

“Tash edhe një ministër dyshohet të jetë i tillë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së një sistemi të drejtësisë që do të gjykonte universalisht rastet e krimeve të Luftës në Kosovë. E ndërkohë që shumë kriminelë të luftës shëtisin të lirë, madje arrijnë të jenë dhe pjesë e qeverive në Serbi e në Kosovë, paradoksalisht disa deputetë të Kosovës kanë krijuar një gjykatë që do të gjykojë UÇK-në për krime lufte”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga LVV.

“Nuk bën të paragjykohen serbët vetëm pse janë serbë, mirëpo, në anën tjetër, kur ka disa dëshmitarë që flasin e rrëfejnë hollësisht për malltretime, patjetër ato duhet të merren seriozisht dhe me urgjencë. Në qeverinë e Kosovës, ministri Nenad Rikallo nuk do të duhej të vazhdonte ta ushtronte postin e tij pa u sqaruar kjo çështje”, thuhet më tej në këtë komunikatë.

Në vendet demokratike, sipas VV-së, pushtetarët japin dorëheqje edhe për dyshime shumë të vogla administrative, që t’i hapin rrugë hetimit.

“Ministri Rikallo dyshohet për tortura. Ne e dimë se personat me pushtet në Kosovë janë në gjendje ta pengojnë hetimin. Kështu që, për t’i hapur rrugë hetimeve, ai duhet të zhvishet nga secili pushtet”, ka thënë VV-ja.

Sipas kësaj partie, pavarësisht se në cilin institucion apo organizatë mund të ketë punuar pas luftës Rikallo, e pavarësisht se cilin shqiptar mund të ketë rastisur aty, është e domosdoshme të hetohen rastet për të cilat ai akuzohet nga dëshmitarët./AktivPress