VV-ja e shoqëria civile e shohin të mundshëm miratimin e buxhetit nga Kuvendi, por jo edhe LDK-ja

9 muaj më parë

VV-ja e shoqëria civile e shohin të mundshëm miratimin e buxhetit nga Kuvendi, por jo edhe LDK-ja

Edhe përkundër ngecjeve në formimin e qeverisë së re, konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor është duke u parë si arsye e mjaftueshme për t’u funksionalizuar edhe komisionet parlamentare.

Kjo po kërkohet pikërisht për të mundësuar miratimin e buxhetit për vitin 2020, raporton KTV.

Sipas nënkryetares së Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, gjendja aktuale në të cilën ndodhet vendi nuk përjashton seancat e jashtëzakonshme.

Por, sipas Avdullah Hotit të LDK-së, buxheti i Kosovës për vitin 2020 nuk mund të votohet në Kuvend pa u themeluar Qeveria.

Sipas Hotit, formimi i Qeverisë së re është çështje jetike për Kosovën dhe se funksionalizimi i plotë i Kuvendit bëhet vetëm me formimin e saj.

Megjithëkëtë, në Grupin për Studime Juridike e Politike, thonë me konsituimin e Kuvendit, është hapur rrugë për seanca plenare edhe pa formimin e Qeverisë.

Zgjedhjet e 6 tetorit e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo edhe pas rreth 100 ditësh që prej këtyre zgjedhjeve, ky subjekt politik nuk ka arritur të formojë qeverinë e re, pas ngecjes në bisedimet me LDK-në.