Vonohet zgjedhja e auditorëve për financat e subjekteve politike, shkaku i pandemisë

3 muaj më parë

Vonohet zgjedhja e auditorëve për financat e subjekteve politike, shkaku i pandemisë

Pezull ka mbetur auditimi i raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të fushatës së subjekteve politike. Auditimin e tyre është dashur ta bëjnë auditorët e zgjedhur përmes konkursit publik në janar të këtij viti.

Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur shkaku i vonesave të konstituimit të komisioneve parlamentare e në mesin e tyre edhe të atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike, që merret me raportet vjetore financiare, raporton KOHA.

Kryetari i këtij komisioni, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se inicimin për auditimin e raporteve e kanë bërë dy muaj më parë, por që shkaku i pandemisë nuk kanë përfunduar ende procedurat e tjera, si ajo e përzgjedhjes së auditorëve. Vonesat në auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike, shoqëria civile i konsideron të dëmshme. Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se do të duhej të ndryshohej mënyra e raportimit.

Ndërsa, sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, ka dallime të theksuara në mes të raporteve financiare të partive politike dhe shpenzimeve që bëjnë.

Në anën tjetër, nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se problemet si financimi i subjekteve politike do të trajtoheshin përmes reformës zgjedhore. Por, një gjë e tillë, sipas tyre, mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

KOHA ka kontaktuar edhe me zyrtarë të LDK-së e PDK-së, por ata nuk janë përgjigjur.

Subjektet politike vazhdimisht janë kritikuar nga shoqëria civile për mostransparencë të plotë në deklarimin e financave e shpenzimeve të tyre.