Volkswageni kërkon falje për reklamën raciste me Golf 8

4 muaj më parë

Volkswageni kërkon falje për reklamën raciste me Golf 8

Prodhuesi i veturave, Volkswagen, ka kërkuar falje për një reklamë raciste në Instagram si pjesë të kampanjës për të promovuar modelin e ri Golf në Gjermani.

Klipi i shkurtër i kompanisë tregonte një dorë enorme të bardhë që shtynte një burrë me ngjyrë, me gjasë duke e parandaluar që të hyjë në veturë, para se ta “zhdukte” me një goditje me gisht. I menjëhershëm ishte reagimi i publikut që e cilësoi tejet raciste reklamën.

“E kuptojmë zemërimin e publikut sepse edhe ne jemi të tmerruar po ashtu”, kanë thënë anëtari i bordit të brendit VW, Jurgen Stackman, dhe shefi për diversitet në këtë kompani, Elke Heitmuller, në një kërkimfalje të postuar në rrjete sociale. “Është fyerje për çdo person. Jemi të turpëruar për këtë dhe nuk po mund të shpjegojmë si ndodhi. Kërkojmë falje në veçanti për ata që ndiejnë dhimbje personale të shkaktuar nga përmbajtja raciste”.

Klipi i fshirë nga rrjetet sociale tregonte një rrëfim të një çifti. Dora i takonte një gruaje, që e shtynte partnerin e saj nga Golfi 8 i verdhë. Fjalët “Golfi i ri” shfaqen në fund të reklamës.

Kompania, që ka rreth 150 mijë ndjekës në llogarinë në gjuhën gjermane, ka thënë se përkatësia etnike e njerëzve të portretizuar nuk ishte planifikuar të kishte rëndësi në këtë reklamë.

Gjiganti gjerman ka paralajmëruar një hetim për këtë publikim.