Vjedhjet e pandëshkuara

3 vite më parë

Vjedhjet e pandëshkuara

Gati askush nga zyrtarët e institucioneve publike nuk është vënë para përgjegjësisë për milionat e keqpërdorur, për punësimet e paligjshme dhe për shkeljet në procedurat e prokurimit.

Heshtja e institucioneve të drejtësisë ka bërë që të humbë kuptimi i raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që dëshmojnë për një mal parregullsish nga zyrtarët publikë.

As marrëveshja e ZKA-së me Prokurorinë e Shtetit për “bashkërendim” të veprimeve, e arritur dy vjet më parë, nuk ka prodhuar efekte, shkruan sot “Koha Ditore”. Pak raste të hetimeve që kanë nisur si rezultat i raporteve të këtij institucioni kanë dështuar ose rrezikojnë të dështojnë si pasojë e përgatitjes së dobët profesionale nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Shpërfillja që institucionet e drejtësisë ua bëjnë gjetjeve të Auditorit kanë trimëruar institucionet publike dhe të punësuarit në to. Rekomandimet e ZKA-së, të përsëritura çdo vit, nuk zbatohen, ndërsa vjedhjet dhe veprimet e tjera kundërligjore vazhdojnë me tendencë rritjeje.