Vizita e veçantë e dy princeshave shqiptare (Foto)

4 vite më parë

Vizita e veçantë e dy princeshave shqiptare (Foto)

Dy princeshat shqiptare apo dy motrat e mbretit Zog kishin vizituar një vend të veçantë në vitin 1937. Ato kishin shkuar në muzeun e Vjenës për ta parë shpatën dhe përkrenaren e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.

Këtë moment e ka zbardhur për publikun, studiuesi dhe gazetari Armand Plaka nëpërmjet publikimit të një fotoje ku shihen të dy motrat brenda në muze të shoqëruara nga vet drejtori i muzeut.

Plaka përkujton se veç Konicës e Zoi Xoxës, të cilët patën rastin t’i shoqërojnë fizikisht e të shkruajnë kujtime në lidhje me to, ishin dhe vetë gazetat e kohës, të cilat i bënë një jehonë të jashtëzakonshme turneut transatlantik të motrave të Mbretit të Shqiptarëve. Kërshëria e shtypit perëndimor, sipas tij, shpesh u shoqërua edhe me kritika, por në përgjithësi raportimi ishte pozitiv, dashamirës dhe realist.

“Ishte viti 1937 dhe duket se Mbretëria Shqiptare po investonte edhe në imazh për të përjetuar tashmë një fazë tjetër pas 9 vjetësh themelim. Megjithëse është raportuar në hollësi mbi vizitën e tyre, duke gërmuar në arkivat e gazetave perëndimore të kohës, më la shumë mbresa një foto e rrallë nga një revistë e mirënjohur vjeneze, e cila shfaq motrat ( princeshat) e Mbretit Zog ndërsa kundronin nën interpretimin plot pasion të drejtorit të Muzeut të Vjenës, Dr. Gross, përkrenaren dhe shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkruan pos tjerash Plaka, me rastin e publikimit të fotos.

Seti i dy objekteve më të çmuara ndër shqiptarët, do të mund ta shihte dritën e ekspozimit shumë dekada më vonë, për një periudhë të limituar edhe në Muzeun tonë Kombëtar, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Shpata dhe përkrenarja e Skëndebeut, vazhdojnë të qëndrojnë në Muzeun e Vjenës edhe sot e kësaj dite./Aktivpress