Viti 1959: Hrushovi, Shqipëria dhe plani i leshit

5 muaj më parë

Viti 1959: Hrushovi, Shqipëria dhe plani i leshit

Cilat janë ngjarjet që kanë shënuar shqiptarët dhe botën në vitin 1959?

Këshilli Ekzekutiv i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 27 tetor 1959, propozon shpërbërjen e pesë rretheve, si dhe zvogëlimin e komunave nga 65 në 28. Ligji për shpërbërjen e rretheve në Kosovë, pas aprovimit në Kuvendin e Serbisë, më 5 dhjetor 1959 hyn në fuqi me publikimin në Fletoren Zyrtare të Republikës popullore të Serbisë.

Ky ligj parashihte ndërprerjen e funksionimit të rretheve si njësi territoriale politike, që nga data 31 dhjetor 1959. Kështu, Kosova në vitin 1960 hyn me këto komuna: Viti, Vushtrri, Drenas, Gjilan, Deçan, Dragash, Gjakovë, Zym, Zubin Potok, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë, Leposaviq, Lipјan, Malishevë, Novobërda, Rahovec, Orllan, Pejë, Podujevë, Prizren, Prishtinë, Skënderaj, Suharekë, Ferizaj dhe Shtërpce.

Kështu, Kosovës i bashkohen Leposaviqi dhe Leshaku që deri atëherë i kanë takuar Rrethit të Rashkës. Gjithashtu, Kosovës i është bashkangjitur edhe maja e Pançiqit në Kopaonik. Komuna e re e Leposaviqit përfshinte fshatrat: Beluqe, Berberishtë, Bistricë, Bare, Belo Bërdë, Borovë, Vraçevq, Guvnishtë, Krnjin, Zemanicë, Ishevë, Leshak, Miokoviq, Ostraq, Potkomnje, Rvatskë, Trebiçe, Çirkoviq, Crnatovë dhe Postenjë.

Situata e shqiptarëve vazhdonte të ishte e keqe, e kjo dëshmohet me faktin se çështja e ndërrimeve territoriale në Kosovë është iniciuar në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Serbisë, më 12 shtator 1959, nga Sllobodan Peneziq (i quajtur “Kërcun”, që ishte eksponent i lartë në nomenklaturën e UDB-së në Serbi). Ndërsa, po më 1959, Adem Demaçi do të dënohet me pesë vjet burg të rëndë.

Tito në anijen Galeb

Jugosllavia si sukses përmendte rritjen e numrit të personave me titullin e doktorit të shkencave. Kështu, derisa më 1919 ishin vetëm 89 vetë me këtë gradë, numri i tyre në 1959 arriti në 1,221. Më 1990 do të jenë 10,376 doktorë të shkencave. Por, niveli i arsimit binte çdo herë e më shumë. Sidoqoftë, Titos i interesonte veç marketingu i mirë, meqë po bëhej gati për ta formuar “OJQ”-në e parë: Lëvizjen e të Painkuadruarve, shtetet anëtare të së cilës do t’i zhvaste sa herë që donte. Kështu, në fillim të vitit 1959, nis një vizitë me anijen e tij Galeb në shtetet e botës së tretë: Indonezi, Burmë, Indi, Etiopi, Cejlon Sudan dhe Republikën e Bashkuar Arabe (Egjipt e Siri). Bashkëpunëtorët e tij shkuan në shtetet tjera, deri në Kubë ku më 1959 ishte përmbytur pushteti i Fulgencio Batistas dhe ishte instaluar regjimi komunist i Fidel Castros.

E, liderët shqiptarë shkonin kryesisht në BRSS e në Kinë – rrallë e përmallë. Në maj 1959, për vizitë në Shqipëri ishte lideri sovjetik Hrushov (Nikita Khrushchev). Ai e viziton Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe natyrisht Korçën. Pas Luftës së Dytë Botërore, Korça kishte më shumë fat se qytetet tjera, sepse komunistët (që shumica vinin nga jugu i Shqipërisë) aty shkaktuan shumë më pak dëme, si në njerëz ashtu edhe në dukjen e qytetit. Madje, ishte krenaria e pushtetit të ri, ku vazhdimisht i dërgonin delegacionet e huaja – përfshirë kryeministrin kinez Zhou Enlai, më 1964.

Hrushovi gjatë vizitës së tij në Shqipëri

Kudo ku kalonte Hrushovi, dilte populli i entuziazmuar e i “lumtur”. Nga Korça, Hrushovi kërcënoi drejtpërdrejtë Greqinë me reprezalje bërthamore, ndërsa deklaroi se cilido që do të orvatet të cenojë kufijtë e Shqipërisë, do të ndeshet me fuqinë ushtarake të gjithë kampit socialist dhe se çdo dhunim imperialist i lirisë dhe i sovranitetit kombëtar të saj do të dështojë mirëfilli.

Po në Korçë ndodhë një takim interesant mes tij dhe një studenteje shqiptare:

“Ne, studentet dhe gjimnazistet e Korçës u ulëm në sallë dhe na dhanë porosi që do të ngriheshim dhe do të merrnim në vallëzim personalitetet e larta të shtetit dhe miqtë nga Bashkimi Sovjetik, pjesëtarë të delegacionit, ndërkohë që Hrushovin do ta merrte në vallëzim ajo vajzë që do ta sinjalizonte oficeri i lartë i Sigurimit. Në këtë kohë, zemra po më rrihte fort, pasi oficeri i Sigurimit nuk po m’i ndante sytë dhe sapo unë e shikova drejt, ai më bëri shenjë që të merrja Hrushovin në një vallëzim. Isha vajzë e re, vetëm 23 vjeç dhe kisha një gjoks shumë të zhvilluar. Gjatë vallëzimit, Hrushovi luante shumë ngjitur. Më pyeti se ku punoja dhe i thashë se isha studente e gjuhës ruse në Universitetin e Tiranës. Hrushovi po më vështronte me vëmendje dhe tundte kokën gjithë kënaqësi. ‘Ju këtej nga Shqipëria qënkeni mirë me planin e qumështit’, dhe i bën shenjë me kokë për gjoksin tim të zhvilluar shumë. Çuditërisht nuk e di se si ma prodhoi truri atë përgjigje dhe i them me një rusishte të pastër: ‘Ndërsa ju shoku Nikita, qenkeni mbrapa me planin e leshit’, duke i bërë shenjë për nga koka e tij tullace. Hrushovi e shijoi shakanë dhe vazhdoi gjatë gjithë vallëzimit të qeshte me zë të lartë. E qeshura e tij tërhoqi vëmendjen e gjithë sallës, pasi ai po bërtiste fort dhe po qeshte me shumë fort… madje ndërpreu vallëzimin dhe vuri duart në bel”, ka rrëfyer më 2013, pogradecarja Anita Kaçuli.

Ndërkohë, Hrushovi në ShBA më 1959 u prit me protesta

Gjatë vizitës në Korçë, Hrushovi kritikon Enver Hoxhën duke thënë se përpjekja e Shqipërisë nuk duhet të përqendrohet tek buka, por të zhvillohet blegtoria dhe të mbillen pemët e perimet. “Ju keni zënë shumë toka me grurë anembanë Shqipërisë. Më shumë hanë minjtë grurë në magazinat e Bashkimit Sovjetik, sesa i duhet Shqipërisë grurë për bukë. Ju duhet të zhvilloni industrinë e lehtë dhe kryesisht atë ushqimore”, citohet të ketë thënë ai. Më vonë, Enver Hoxha do t’i quante ato deklarata si plane tinëzare që qëllim kishin të gjunjëzonin socializmin në Shqipëri.

E kështu, teksa më 1959 populli shqiptar brohoriste “Hrushov-Enver”, se çka ka menduar lideri sovjetik për kreun e komunistëve shqiptarë, kjo kuptohet më 1961, kur në kujtimet e tij shkruan: “Enver Hoxha është thjesht një bandit! Vallë, politikan është ai që njeh vetëm një metodë, litarin në fyt dhe tërhiqe fort! Të gjithë ata që ngrihen kundër vrasjeve të fshehta dhe të hapura e që ngrenë zërin për demokratizimin e jetës së Partisë dhe të vendit qenkan revizionistë?! Natyrisht që kjo, në radhë të parë është tragjedi për popullin Shqiptar… Tamam kështu ka ndodhur edhe me ne në kohën e Stalinit, i cili ideoi dhe organizoi pushkatimin e mijëra kuadrove drejtuese të ndershme, ndërkohë që të gjithë thërrisnin: Rroftë Stalini”!

Ndërsa, një vit më vonë, në datat 13-20 shkurt 1960 kur u mbajt në Tiranë kongresi i katërt i Partisë së Punës së Shqipërisë, ishte hera e fundit ku morën pjesë delegacionet e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të Evropës Lindore. Gjatë kongresit, delegatët sovjetikë u trajtuan me përçmim. Atëherë, në fjalimet e tij, Enver Hoxha shprehej se ndjekja e linjës së Hrushovit i bënte vendet më pak diktatoriale. Kjo për të ishte vetëvrasëse, sepse do të sillte trazira si ato të Hungarisë dhe Polonisë në 1956!

Më 8 janar, Charles de Gaulle inaugurohet si kryetari i parë i Republikës së Pestë të Francës. Ndërsa, në referendumin e 1 shkurtit, Zvicra ndalon të drejtën e femrave për të votuar. Po më 1959, kompania suedeze e automobilave, Volvo, e shpiku rripin sigurimit të cilin më pasë e dha si licencë të lirë për të gjithë prodhuesit e makinave.

Më 1959 lindin këngëtarët Robert Smith (The Cure) dhe Jim Kerr (Simpy Minds); aktori Kevin Spacey dhe producenti Simon Cowell. Ndërsa, vdes regjisori Cecil B. DeMille, një nga ikonat e rinisë së viteve 1950, këngëtari Buddy Holly, si dhe legjenda e xhazit, Billie Holiday. /Agron Shala- Telegrafi/

Buddy Holly