Vila në Gërmi që s’u përfundua që 15 vjet, shfrytëzohet nga narkomanët

1 muaj më parë

Vila në Gërmi që s’u përfundua që 15 vjet, shfrytëzohet nga narkomanët

Për shkak të zonave të mbrojtura, tash e 15 vite edhe një objekt ka mbetur pa u përfunduar në parkun e Gërmisë. Ky objekt, ishte iniciuar nga Kuvendi i Kosovës, që të bëhet Qendër Protokollare. Mirëpo, për shkak të reagimit të shoqërisë civile, për këtë rast ishte hapur edhe rasti në gjykatë. E derisa nuk ka një vendim të prerë se çfarë do të bëhet me këtë objekt, ai po shfrytëzohet nga përdoruesit e drogës. Qendra Protokollare e Kuvendit në Gërmi tash e 15 vite e papërfunduar, strehë e përdorueve të drogës.


U planifikua të jetë ndërtesë institucionale.

Por ky objekt që gjendet në mes të parkut të Gërmisë, prej vitesh po qëndron në këtë gjendje.

Hapësirat e kësaj ndërtesë që nuk u përfundua asnjëherë, ishin paraparë të shfrytëzoheshin nga Kuvendi i Kosovës.

Por, Qendra për punë protokollare dhe administrative në Gërmi që nga viti 2005 jo vetëm që nuk është funksionalizuar, por as nuk mirëmbahet. Ajo më shumë po përdoret si mbledhëse mbeturinash e strehë e përdoruesve të drogës.

Në Kuvendin e Kosovës pohojnë se projekti ka ngecur ani pse çdo vit planifikohet buxhet për të.

Në çdo projektim buxhetor kalendarik vazhdon të jetë e paraparë si investim kapital. Jemi në fazën kur për hapat e mëtejmë duhet të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Madje ka pasur një proces gjyqësor, pasi disa organizata të shoqërisë civile patën paditur Kuvendin, për shkak të lokacionit të ndërtesës. Ato kundërshtonin që ky objekt të ndërtohet në Parkun e Gërmisë.

Projekti ka nisur me probleme, të cilat pastaj kanë pasuar me një proces gjyqësor. Kuvendi, për ndërtimin e Qendrës Protokollare, është pajisur me leje sipas kushteve te përcaktuara me ligjet aktuale.

Edhe 15 vite më vonë, aktivistë të shoqërisë civile kërkojnë rrënimin e këtij objekti.

Luan Hasanaj nga organizata let’s do it Kosova, thotë se të paktën duhet të mirëmbahet hapësira e kësaj ndërtese e cila po shfrytëzohet për qëllime tjera.

Sipas Hasanajt, ky projekt nuk duhet të jetë pjesë e Parkut të Mbrojtur të Gërmisë.

Ndryshe, Qendra Protokollare ishte iniciuar nga ish kreu i Kuvendit Nexhat Daci. Kjo Qendër ishte paraparë që të shërbejë për akomodimin e delegacioneve që vizitojnë Kuvendin e insitucionet tjera të Kosovës./T7