Veton Surroit i hiqet titulli “ Nderi i Qarkut Kukës”

3 muaj më parë

Veton Surroit i hiqet titulli “ Nderi i Qarkut Kukës”

Publicistit dhe politikanit kosovar Veton Surroi, i hiqet titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten. Ky vendim sipas Kryetarit të Këshillit të Qarkut Abdulla Domi, është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit,të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentet përkatës.

Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjicin njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Safet Gjici: Jo vetëm që ai ka marrë një titull për të mbrojtur Kosovën, për të mbrojtur UÇK, se kështu thotë, madje ka shkuar deri atje që thotë ka dhënë kontribut për shpallje të pavarësisë së Kosovës. Si ta kuptojmë ne këtë. Ai ka ndërmarrë një fushatë, politike, mediatike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe ne nuk mund ta pranojmë këtë nder qarku. Çfarë nderi qarku është? Duhet ta heqim sot dhe ta çojmë në Gjykatë. Realisht deri sot ai flet gjithë ditën kundër asaj për të cilën ka marrë nderi i qarkut nga ana jonë. Dhe kjo i bie ndesh vetes së vetë, ndesh Kosovës dhe ne t’i lëmë titullin nder i qarkut?

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.