Vetëvendosje reagon pas shtyrjes së mbledhjes së qeverive Kosovë – Shqipëri

4 javë më parë

Vetëvendosje reagon pas shtyrjes së mbledhjes së qeverive Kosovë – Shqipëri

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka reaguar pas lajmit për shtyrjen e mbledhjes së përbashkët të qeverive Kosovë – Shqipëri.

Ai ka thënë se kjo mbledhje e paraparë të mbahet në Shkodër është në interes të të gjithë qytetarëve.

“Si drejtues i Grupit parlamentar të LV, kërkues i raportimit të Hotit në Kuvend, publikisht e njoftojmë Hotin që mos të tërhiqet nga mbledhja me Qeverinë e Shqipërisë të premten me 25 shtator”, ka shkruar Selimi në Facebook.

“Ne e presim të hënën me 28, le të vi të raportojë në Kuvend”, ka thënë kryedeputeti i VV’së.

Ishte paraparë që mbledhja e përbashkët të ndodhte këtë të premte por kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka treguar se kjo mbledhje është shtyrë.

“Për shkak të seancës së Kuvendit të Kosovës, u dakorduam me Kryeministrin Rama që mbledhjen e përbashkët të dy qeverive tona, të paraparë për këtë të premte, ta mbajmë më 2 tetor. E falënderoj Kryeministrin Rama për mirëkuptimin dhe dy ekipet tona për përgatitjen e mbledhjes”, ka thënë ai në rrjetin social Facebook.