Vetëvendosje edhe pas vendimit të PZAP-së: Kandidimi i Kurtit dhe të tjerëve nuk do të mund të ndalet

1 muaj më parë

Vetëvendosje edhe pas vendimit të PZAP-së: Kandidimi i Kurtit dhe të tjerëve nuk do të mund të ndalet

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur absurd vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për të mos e lejuar kandidimin e Albin Kurtit dhe kandidatëve të tjerë nga ky subjekt.

“Sot Paneli për Ankesa dhe Parashtresa nxori një vendim absurd, duke ia ndaluar kandidimin, kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bartësit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve tanë, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

PZAP veproi në një vijë me tre anëtarët e KQZ-së, Valdete Dakën, dhe përfaqësuesit e LDK-së e PDK-së, duke sajuar argumente të paqena juridike dhe kushtetuese vetëm sa për të prodhuar këtë pengesë që është në fakt një padrejtësi e shumëfishtë”, thuhet në njoftim.

“Të konfirmosh, siç ka bërë PZAP, nën direktivën arbitrare të kryesueses së KQZ-së, përjashtimin nga lista zgjedhore të të kandiduarve, do të thotë që të gjykosh për të dytën herë atë që Gjykata tashmë e ka përbyllur pa pasoja juridike. Pra, praktikisht PZAP po jep dënim me masë më të rëndë se sa parashihet me ligj. E kjo as është detyrë e PZAP-së, e as është e imagjinueshme në një shtet të së drejtës dhe demokratik. Kështu si ky vendim sot duket vetëm inkuizicioni. Inkuizicion politik e juridik”.

Sipas tyre kjo padrejtësi e dalë haptazi bashkë me aktorët që e bartin atë ndër vite në Kosovë, është kufizim i të drejtave në atë shkallë që synon eliminimin politik.

“Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”.