Verëtarët kërkojnë mbështetje nga shteti për tejkalimin e sfidave
4 vite më parëVerëtarët kërkojnë mbështetje nga shteti për tejkalimin e sfidave
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, është takuar me udhëheqësit e Shoqatës së Verëtarëve të Kosovës “Enologjia” të udhëhequr nga kryetari i shoqatës, Fejzullah Berisha, nënkryetari, Nevzat Haxhijaha dhe sekretari, Bejtullah Haxhimurati.
Me këtë rast, ajo i ka njoftuar ata lidhur me politikat e ndërmarra deri tani nga Qeveria e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist dhe zhvillimin ekonomik.
Bajrami ka thënë se deri tani janë arritur rezultate të konsiderueshme, efektet e të cilave po i ndjejnë bizneset.
Ndërkaq, udhëheqësit e shoqatës “Enologjia” theksuan se sektori i verëtarisë në Kosovë ka avancuar ndjeshëm dhe se trendi i rritjes është mjaft optimistë, mirëpo, sipas tij, ata aktualisht po përballen me sfida sa i takon eksportit të produkteve të tyre në tregjet e jashtme.
Në frymën e kësaj, ata kërkuan mbështetjen e qeverisë së vendit në tejkalimin e tyre.
Ministrja Bajrami u zotua se MTI dhe institucionet qeveritare do të angazhohen me seriozitet të lartë në trajtimin e të gjitha kërkesave që bien në kompetencat e Qeverisë së Republikës së Kosovës./AktivPress