Vendosen tabela me kahe të kundërta në Lipjan, opozita akuzon Komunën

1 muaj më parë

Vendosen tabela me kahe të kundërta në Lipjan, opozita akuzon Komunën

Komuna e Lipjanit nëpërmjet një kompanie private ka vendosur disa tabela rrugore me kahe të kundërt në qytetin e Lipjanit.

Banorët janë ankuar se orientimi i tabelave te udhëkryqi i semaforëve në Lipjan është krejtësisht i kundërt dhe i gabuar, raporton Koha Ditore.

Inspektorët komunalë së bashku me kompaninë private aktualisht janë në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë përpjekje që t’i largojnë tabelat me orientime të gabuara.

Prishtina është në pjesën tjetër, Ferizaj po ashtu në anën e kundërt, Gadimja në anën e kundërt dhe po ashtu edhe Hekurudha është në anën e kundërt.

Hyzer Rizani, kryetar i subjektit më të madh opozitar PDK në Lipjan ka akuzuar komunën se po e dëmton buxhetin e taksapaguesve.

“Dikush duhet të jap përgjegjësi për këto gabime sepse kompania me siguri i ka përgatitur tabelat sipas rekomandimeve të ekzekutivit të komunës, andaj kush duhet të jap llogari që po dëmtohet buxheti i taksapaguesve në këtë mënyrë”, ka thënë Rizani.