Vendet e BE-së të garantojnë paga minimale

4 vite më parë

Vendet e BE-së të garantojnë paga minimale

Komisioni Europian kërkon që të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian të paraqesin një pagë minimale për punëtorët e të ardhura minimale për të papunët, që të luftohet rritja e pabarazisë, deklaron krahu ekzekutiv i BE-së.

Komisioni, që ka fuqi të limituara në fushën e politikave sociale, po përgatit një riorganizim të funksioneve dhe objektivave të BE-së dhe kërkon të përfshijë trajtimin e padrejtësive ekonomike dhe sociale, gjë që është shfrytëzuar shpesh nga partitë e ekstremit të djathtë në 28 vendet e bllokut.

Presidenti i Komisionit, Jean Claude Juncker tha se reformimi i politikave sociale të Bashkimit Europian duhet të nisë fillimisht në 19 vendet e Eurozonës, që kanë një valutë të përbashkët dhe mbikëqyrje fiskale. 22 nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë një pagë minimale kombëtare, tregojnë të dhënat e Eurostat.

“Ekziston një nivel dinjiteti në Europë që duhet respektuar. Kjo pagë minimale nuk mund të jetë e njëjtë në të gjithë vendet, pasi do të ishte absurde, por mendoj se në të gjithë legjislacionet tona kombëtare, një pagë sociale minimale dhe një pagë minimale e garantuar, është një shtojcë që duhet të sjellim në dimensionin social të Europës”, tha Juncker.

Standardet e jetesës dhe kostot janë gjerësisht të ndryshme në vendet e BE-së. “Nëse të gjithë kompanitë do të respektojnë nivelin e njëjtë të pagës minimale, atëherë do të vendosim një fund në dampingun social që po gërryen shoqërinë tonë”, tha Juncker.

“Dampingu Social” përshkruan punësimin me kosto të ulëta, shpeshherë duke përfshirë emigrantët, si dhe zhvendosjen e prodhimit në vende me paga më të ulëta. Komisioni do të prezantojë propozimet e reja në një samit në Romë më 25 mars. /Telegrafi