“Vakat” kërkon zyrë bashkëpunimi Kosovë-Bosnje, Haradinaj e përkrah

4 muaj më parë

“Vakat” kërkon zyrë bashkëpunimi Kosovë-Bosnje, Haradinaj e përkrah

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përkrahur iniciativën e koalicionit boshnjak “Vakat“ që në Prishtinë të hapet zyra e bashkëpunimit dhe lidhjes mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Këtë kërkesë, përfaqësuesit e koalicionit “Vakat“, ia paraqitën Haradinajt gjatë një takimi të zhvilluar të enjten, në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga ky koalicion, Duda Balje, ka thënë se sipas planit, kjo zyrë do të shërbente për qytetarët e të dyja vendeve, në mënyrë që të paraqesin nevojat dhe problemet, siç është liria e lëvizjes.

„Kjo nuk është menduar të funksionojë në bazë të sistemit të ambasadës, por si zyre komunikimi dhe autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë detyrim të bien dakord me këtë“, tha Balje, por sipas saj, e njëjta zyrë, mund të hapet edhe në Sarajevë, nëse Bosnja, ka interes për diçka të tillë.

Ajo shtoi se kjo ide, ka nisur gjatë vizitës së saj të fundit në Sarajevë, nga Shoqata e shqiptarëve në Bosnje e Hercegovinë.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri Haradinaj shprehu mbështetjen e tij, në funksion të shikimit të të gjitha mundësive, që kjo kërkesë e komunitetit boshnjakë në Kosovë të gjejë zbatim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar këtë javë të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Jahorinë afër Sarajevës, për shkak se siç ka thënë “trajtimi dhe deklaratat nga Presidenca e Bosnje dhe Hercegovinës nuk janë në favor të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave dhe parimeve të BE-së”.

Bosnje e Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy vendeve ekziston regjimi i vizave.

Në anën tjetër, qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë mund të udhëtojnë lirisht nga një vend në tjetrin.