Vaji i palmës sërish kërkohet të hiqet nga tregu

3 vite më parë

Vaji i palmës sërish kërkohet të hiqet nga tregu

Shoqata e Qumështarëve të Kosovës insiston në heqjen e vajit të palmës nga tregu, pavarësisht se Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës, sot ka dalur me qëndrimin që ky vaj mund të përdorët.

Nëpërmjet një komunikate për media, kjo shoqatë ka ritheksuar se qëndron prapa fakteve të paraqitura me 26 janar në Prishtinë.

“Në bazë të këtyre fakteve ne kemi ngritur kallëzim penal, kundrejt AUVK-së për mospunë dhe kundrejt atyre kompanive që janë duke përdorur vajin e palmës në produktet e tyre. Ndërkohë një shoqatë tjetër, e quajtur ‘Shoqata e Prodhuesve të Qumështit (SHPQK) kanë filluar të flasin në emër të fermerëve të Kosovës, duke i mbrojtur prodhuesit vendor, të cilët përdorin vajin e palmës si lëndë të parë”, thuhet në një reagim të Shoqatës.

Shoqata e Qumështarëve u ka bërë thirrje organeve shtetërore që të ndërmarrin hapa konkret në ndalimin e prodhimit të pakontrolluar me bazë vajin e palmës.

Ky vaj, sipas tyre,  përveç që është duke e shkatërruar fermerin vendor është duke rrezikuar edhe shëndetin e konsumatorëve.

“Organet shtetërore tash kanë një bazë dhe argument edhe më shumë për veprime, pas raportit të Autoritetit Evropian për Siguri në Ushqim, i cili e ka nxjerr vajin e palmës me potencial kancerogjen”, thuhet në komunikatë./AktivPress