Ushtria është dashur të krijohet më herët

4 vite më parë

Ushtria është dashur të krijohet më herët

Tema e ushtrisë është hapur pa u zgjidhur disa çështje si Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave Serbe. Megjithatë, Presidenti është vonuar në hapjen e kësaj teme. Kështu ka thënë Jakup Krasniqi, kryetar i Këshillit në Nisma për Kosovën.

Krasniqi tha se iniciativa e Presidentit ka mundur të ndodhte në kohën sa ka qenë kryeministër.

Tanimë, sipas tij, pa u zgjidhur disa probleme reale është shtuar edhe çështja e ushtrisë.

“Presidenti është pjekur me këtë iniciativë që ta ngritë prestigjin e tij por jo aq shumë të interesohet për formimin e ushtrisë në kuptimin më të mirë të fjalës”, ka thënë Krasniqi.

“Në këtë rrafsh jemi vonuar bukur shumë, më shumë se ç’ishte paraparë me dokumentin e Ahtisarit. Atje ishte paraparë që kjo çështje të rishikohej pas 5 viteve”, ka thënë Krasniqi në emisionin më të ri të RTK-së.

Ai ka thënë se ka pasur një ngecje në transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

“Jam i bindur se kjo çështje është dashur të kryhet dhe nuk ka pasur gatishmëri”, është shprehur Krasniqi, sipas të cilit, është vështirë ta gjesh cilindo qytetar të Kosovës që merret me politikë e që është kundër transformimit të FSK-së në ushtri.