“Unifikimi i çmimit të sigurimit të veturave në kundërshtim me politikat e konkurrencës”

4 javë më parë

“Unifikimi i çmimit të sigurimit të veturave në kundërshtim me politikat e konkurrencës”

Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë kanë ndërmarrë prej disa javësh iniciativën për t’i rritur çmimet e sigurimit të automjeteve. Kërkesën për rritje të çmimeve e ka kundërshtuar Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duke thënë se kjo kërkesë bie ndesh me politikat dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosova të Konkurrencës (AKK), Sakip Imeri, në një intervistë për Ekonomia Online po thotë se unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë.

Ai thotë se i kanë sugjeruar BQK-së të bëhen veprime individuale nga kompanitë e sigurimit për mënyrën dhe masën se sa dëshirojnë të rrisin çmimet.

“Diku në muajin korrik ka filluar një hetim, marrje e informatave, një hulumtim i informatave rreth bashkëpunimit të kompanive të sigurimit për vendosjen e një çmimi unik apo rritjen e çmimit. Në muajin gusht kemi marrë një kërkesë nga BQK-ja që të ofrojmë një opinion për propozimin që të rritet çmimi i sigurimit në 36.56 për qind”, ka thënë ai.

Ai thotë se Banka Qendrore e Kosovës si autoritet rregullator i industrisë së sigurimeve duhet të përkujdeset që Kompanitë e sigurimeve të konkurrojnë me çmime dhe cilësi të shërbimeve që ato ofrojnë.

“Unifikimi i çmimeve të primit të TPL-së është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë. Banka Qendrore e Kosovës duhet të miratojë tabela të individualizuara mbështetur në analizën e riskut sipas strukturës/portofolit të Kompanive të Sigurimit, karakteristikave të produktit dhe strukturës së sigurimeve të secilit ofrues të sigurimeve. Pasi që kompanitë e sigurimeve në Republikën e Kosovës, aktualisht mbajnë çmime të njëjta, Autoriteti sugjeron që të njëjtat të jenë bazuar në kushtet e tregut, ofertë – kërkesë, e rrjedhimisht edhe përcaktimi i çmimit të bëhet nën këto kushte”, thotë ai.

“Çmimi i primit është përgjegjësi edhe e BQK-së që të lejojë rritjen ose ndryshimin e çmimeve, por rekomandohet që aktuarët e kompanive të bëjnë vlerësime individuale të kompanive sipas performancës së kompanive. Duhet të merret parasysh kapacitetet e kompanive, strategjitë e shitjes së tyre, parametrat, lloji i automjeteve, karakteristikat që duhet të merren parasysh për krijimin e grupeve të tjera të sigurimeve që pastaj secili duhet të paguaj varësisht prej kategorive që përcaktohen dhe analizat e propozimet që vijnë e të cilat më pastaj duhet t’i miratojë BQK-ja”, ka shtuar Imeri.

Ai thotë se gjendja në Kosovë vazhdimisht është gjendje që ka punë mjaftë kritike për Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

“Kemi lloje të ndryshme të bashkëpunimit që nuk janë të lejuara sepse nuk janë marrëveshje të ndaluara që bëhen me qëllim të dominimit në treg ose format tjera për ta ç’rregulluar konkurrencën e drejtë e Autoriteti duhet të ndërhyjnë qoftë përmes hetimeve apo edhe përmes iniciativave që vijnë prej institucioneve apo edhe prej bizneseve të ndryshme”, ka përfunduar Imeri.