Turqia po përgatitet për sanksionet e SHBA-së

4 javë më parë

Turqia po përgatitet për sanksionet e SHBA-së

Ministri i Mbrojtjes në Turqi, Hulusi Akar, ka thënë se Ankaraja është duke u përgatitur nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione ndaj këtij shteti, për shkak të blerjes së sistemeve ruse, S-400.

Megjithatë ai ka përmendur edhe atë që e ka cilësuar si rritje të “kompromisit” me Uashingtonin për këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Ankarasë që të anulojë blerjen e sistemeve ruse për mbrojtje, derisa aleatët e NATO-s po ashtu kanë shprehur shqetësimet e tyre për kërcënimet që mund t’i sjellin këto blerje, aeroplanëve ushtarakë amerikanë F-35.

Uashingtoni ka paralajmërur Ankaranë se do të vendosë sanksione financiare nëse Turqia vazhdon procesin e blerjes.

Duke folur para gazetarëve më 21 maj, ministri turk, Akar ka thënë se gjatë bisedimeve të fundit me Uashingtonin, Ankaraja ka vërejtur mundësi të “kompromisit” për këtë çështje.

Mirëpo ai ka thënë se Turqia është “duke u përgatitur” dhe duke “konsideruar të gjitha mundësitë”, në rast se SHBA-ja nis sanksione.

Akar po ashtu ka thënë se personeli ushtarak turk ka nisur trajnimet për përdorimin e sistemeve ruse.

Uashingtoni ka thënë se do të terheqë ofertën për t’i shitur Ankarasë sistemet e ngjashme amerikane, Patriot.