Turizmi kosovar promovohet në Shtutgart

6 muaj më parë

Turizmi kosovar promovohet në Shtutgart

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar pjesëmarrjen e operatorëve turistikë kosovar: “Outdoor Kosovo”, “Eurokoha Raisen”, “Fluturime sh.p.k” në panairin e turizmit “CMT”, që po mbahet në Shtutgart të Gjermanisë.

Operatorët turistik nga Kosova, të përkrahur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht KIESA, për herë të parë po marrin pjesë në këtë panair, ku që nga data 11 janar janë duke i promovuar potencialet turistike që ka vendi ynë.

Në shtandin e Kosovës po ashtu po promovohet edhe tradita dhe kultura e qytetit të Prizrenit nga përfaqësuesit e drejtorisë së turizmit të kësaj komune, si dhe po qëndron edhe Mrika Nikqi, vajza nga Kosova e cila në moshë të re ngjiti shtatë majat më të larta të shtatë kontinenteve duke përfshirë dhe majën më të lartë në botë Mont Everest. Këto të arriturat po prezantohen në shtandin e Kosovës si storie suksesi.

Panairi “CMT 2020”, njihet si një ndër panairet më të mëdha të turizmit në botë në të cilin po marrin pjesë 2161 ekspozues nga 100 shtete të botës.

Shtandi i Kosovës në këtë panair gjendet në: Salla 4, Shtandi 4C51

Panairi është i hapur deri më 19 janar 2020./AktivPress/