4 javë më parë

Trysni e madhe për heqjen e taksës vjen edhe nga bizneset që tregtuan me Serbinë!

Trysni e madhe për heqjen e taksës vjen edhe nga bizneset që tregtuan me Serbinë!

Pas viteve të nëntëdhjeta, kur shqiptarët në mënyrë kolektive ia kthyen shpinën Serbisë dhe nisi rezistenca e madhe, dhe spastrimi etnik, i shoqëruar me shuarjen e institucioneve të Kosovës nga regjimi, në atë periudhë edhe ekonomia pësoj goditje të madhe. Masat e dhunshme të instaluara nga Serbia në Kosovë, një periudhë kohore mbeten të izoluara, për shkak se populli nuk bashkëpunonte me ato.

Me një rast, në Drenas ato kishin deklaruar: “Askush nuk na flet, askush nuk na përfill, nuk dimë çka të bëjmë veç të kthehemi në Serbi”. Por, kjo fazë nuk zgjati shumë. Serbia hartoi një strategji për themelimin e ndërmarrjeve shqiptaro-serbe dhe kjo i ndezi. Pak kush e ka ditur, atë kohë, se këto ndërmarrje ekzistencën e siguronin nga paratë e shqiptarëve.

Ato merrnin kredi nga Dardania Bankë në Tiranë, që ishte themeluar nga fondi i 3 për qindëshit. Në atë periudhë e kisha një listë prej 137 ndërmarrjeve shqiptaro-serbe, që merrnin kredi nga Dardania Banka. Listën e pata siguruar nga BSPK-ja. Ndaj, shkatërrimi i Dardania Bankës, menjëherë pas lufte e kishte një qëllim. Humbjen e gjurmëve të krimeve ekonomike të bëra në atë institucion.

E mora këtë shembull për të treguar një të vërtetë se Serbia ka një bazë dhe një lidhje të fuqishme me bizneset e Kosovës, prandaj edhe zhurma e madhe , që bëhet për heqjen e taksës , burimin e ka te këto biznese, që rrinë në prapavijë e për ato flasin të tjerët, ata që u ushqyen e ushqehen nga ato. Madje, është edhe një fakt i njohur se nga paslufta secila maunë, që ka hyrë në territorin të Kosovës, 20 për qind të vlerës së saj e ka pasur për obligim ta derdhë në xhepat e dikujt, dhe këtë e ka dëshmuar njëri nga kryetarëve të një komune, njohës i mirë i këtij realiteti. Mund ta imagjinoni sa është dëmtuar shteti i Kosovës nga ky veprim?

Qarqet e caktuara po bëjnë shumë zhurmë se, gjoja me vendosjen e taksës po i lëndojmë raportet me SHBA-n. Kjo është shumë e pavërtetë për faktin se raportet Kosovë – SHBA janë aq të thella sa asnjë veprim e taksë nuk mund t’i luhas. Kosova, Amerikën e ka aleatin më të mirë dhe më të madh. “Kosova për Amerikën paraqet çështje jetike për SHBA-të”.

Këtë nuk po e them unë, por para pesë vitesh në praninë tonë e tha një diplomat i lartë në Departamentin e Shtetit, gjatë një vizite. Ky pohim flet qartë. Jetike, bie fjala, për njeriun janë uji, buka dhe ajri. Prandaj, mos spekuloni dhe mos të bëni zhurmë se taksa paska krijuar aq shumë probleme me SHBA-n sa t’i ketë luhatur raportet me Kosovën?
Taksa, e vonuar dhe e imponuar, dha sinjal se në këtë vend, më në fund duhet të nisë të funksionojë shteti i pavarur dhe punët tona duhet t’i kryejmë vet.

(Opinionet nuk pasqyrojnë qëndrime redaksionale)