Trump nuk tërhiqet nga “nënshtetësia”

4 muaj më parë

Trump nuk tërhiqet nga “nënshtetësia”

Presidenti Donald Trump ka bërë një hap pas në debatin rreth nënshtetësisë. Ai thotë se pyetja nuk do të përfshihet në censusin kombëtar të vitit të ardhshëm pasi fletët e pyetësorit tashmë janë printuar, por numri i saktë i shtetasve dhe i të huajve do të sigurohet me mënyra të tjera.

Presidenca amerikane nuk tërhiqet nga ideja e njohjes së nënshtetësisë së çdo qytetari që jeton ligjërisht apo joligjërisht në vend.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, deklaroi të enjten se pyetja rreth nënshtetësisë nuk do të jetë pjesë e censusit të vitit 2020, por numërimi do të realizohet nëpërmjet instancave të tjera shtetërore.

Trump:”Nga sot kam urdhëruar çdo departament dhe agjenci qeveritare që të sigurojë të dhënat mbi numrin e shtetasve realë. Kështu do të kemi një ide të qartë sa shtetas, të huaj dhe qytetarë ilegalë jetojnë në SHBA. Për ta arritur këtë, nuk do të lëmë gur pa lëvizur.”

Pyetja “A është ky person shtetas i Shteteve të Bashkuara?” kundërshtohet nga shtetet amerikane me përqindje të madhe emigrantësh dhe nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Gjykata e Lartë amerikane pak ditë më parë konfirmoi të njëjtin qëndrim, duke e cilësuar pyetjen diskriminuese.

Duke dalë kundër presidentit, gjykata sqaroi se ajo mund të nxitë bojkotimin e procesit nga emigrantët dhe për rrjedhojë t’u mohojë disa shteteve miliarda dollarë financime.

Censusi kombëtar amerikan mbahet çdo 10 vite dhe përdoret për caktimin e mandateve të çdo shteti në Kongres dhe për shpërndarjen e fondeve qindramiliardadollarëshe sipas numrit të popullsisë.

Të dhënat shfrytëzohen edhe nga bizneset për të vendosur planet e tyre të investimit./oranews