Trump kërcënon Asadin për krimet në Siri dhe e quan kafshë

3 vite më parë

Trump kërcënon Asadin për krimet në Siri dhe e quan kafshë

Presidenti amerikan Donald Trump sulmoi ashpër presidentin sirian Bashar al Asad dhe aleatët e tij rusë e iranianë për sulmin e dyshuar me armë kimike, duke thënë se përgjegjësit do të paguajnë një çmim të shtrenjtë.

Dhjetëra njerëz raportohet se u vranë me armë kimike në qytetin rebel të Doumas të shtunën.

Mbretëria e Bashkuar kërkoi një hetim urgjent, ndërsa Papa Françesku tha se asgjë nuk mund të justifikojë përdorimin e armëve kimike. Si zakonisht, Rusia dhe Siria mohojnë të ketë pasur sulm me armë kimike, por pjesa tjetër e botës duket e bindur për të kundërtën, aq sa Trump e quajti presidentin Asad kafshë, raporton BBC.

Në një seri mesazhesh në Twitter, Trump akuzoi drejtpërdrejtë presidentin rus Vladimir Putin, Rusinë dhe Iranin për mbështetjen që i japin Asadit, ndërsa kërcënoi se çmimi do të jetë i shtrenjtë për këtë sulm. Në mesazhet e tij Trump ironizoi edhe ish presidentin amerikan Barack Obama, duke thënë se nëse ai do të respektonte kërcënimin e vijës së kuqe për Sirinë, tashmë Asad do të ishte histori.

Qyteti i Doumës është fortesa e fundit rebele brenda Gutës Lindore në afërsi të Damaskut dhe sulmi i dyshuar me armë kimike tregon që regjimi është i gatshëm për gjithçka për të rimarrë kontrollin e zonës.

“Shumë të vdekur, duke përfshirë gra dhe fëmijë, në sulmin e pamenduar KIMIKAL në Siri. Zona e mizorive është e bllokuar dhe rrethohet nga Ushtria Siriane, duke e bërë atë plotësisht të paarritshme për botën e jashtme. Presidenti Putin, Rusia dhe Irani janë përgjegjës për mbështetjen e Kafshës Asad. Çmimi i madh për të paguar. Hapni menjëherë zonën për ndihmë mjekësore dhe verifikim. Një tjetër fatkeqësi humanitare për asnjë arsye”, shkruan Trump.

Aktivistët në terren flasin për rreth 70 viktima e shumë të plagosur. Sipas mjekëve sirianë, viktimat e sulmit kanë shfaqur shkumë në gojë, shenja të qarta të përdorimit të armëve kimike. Departamenti amerikan i shtetit tha se nëse konfirmohet përdorimi i këtyre armëve, komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë menjëherë.