Trump e zëvendëson menaxherin e fushatës

3 javë më parë

Trump e zëvendëson menaxherin e fushatës

Përballë një beteje të ashpër rizgjedhjeje, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e zëvendësoi menaxherin e tij të fushatës zgjedhore.

Trump tha se në vend të Brad Parscale do të vijë Bill Stepien, i cili ka qenë drejtor në terren i fushatës zgjedhore të Trumpit në vitin 2016.

Parscale – i cili thuhet se u fajësua nga rrethi i brendshëm i Trumpit për një tubim me pak njerëz në Oklahoma, muajin e kaluar – do të qëndrojë si këshilltar i lartë.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Trump qëndron pas kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden, në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

“Brad Parscale, i cili ka qenë me mua për një kohë shumë të gjatë dhe ka udhëhequr strategjitë tona të jashtëzakonshme digjitale dhe të të dhënave, do të mbetet në atë rol, duke qenë këshilltar i lartë i fushatës”, shkroi Trump në Facebook.

Parscale thuhet se është margjinalizuar javëve të fundit, për shkak të dështimit të një tubimi zgjedhor në Tulsa të Oklahomas.

Vajza e presidentit, Ivanka Trump, dhe burri i saj, Jared Kushner – të dy këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë – raportohet se e kanë fajësuar Parscalen për dështimin.

Parscale ka thënë se më shumë se një milion njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në tubim, por, sipas Departamentit lokal të Zjarrit, tubimi është ndjekur nga më pak se 6,200 vetë.

Pas tubimit, Parscale ka fajësuar një portë të bllokuar të sigurisë, protestuesit dhe mediat për pjesëmarrjen zhgënjyese.