Tri ditë votime në Maqedoni, sot votojnë të sëmurët me Covid-19 dhe personat në vetëizolim

3 javë më parë

Tri ditë votime në Maqedoni, sot votojnë të sëmurët me Covid-19 dhe personat në vetëizolim

Prej mesanëtas, në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pas fushatës 20 ditëshe. Këto janë zgjedhjet e para që zhvillohen në kohë pandemie të koronavirusit, dhe jo si zakonisht në ditën e diel.

Mbi 1.8 milionë votues do të japin votën e tyre për 15 koalicione dhe parti politike që garojnë për 120 ulëse të Kuvendit republikan. Prej kësaj të hëne do të ketë tre ditë votime. Në ditën e parë do të votojnë të prekurit nga koronavirusi, që janë në karantinë dhe vetizolim. Në ditën e dytë më 14 korrik, do të votojnë 3.138 persona me sëmundje tjera dhe të burgosurit.

Ndërsa në ditën e tretë më 15 korrik do të zhvillohen votimet e përgjithshme, ku qytetarët do të dalin në votime me maska mbrojtëse, duke mbajtur distancë nëpër vendvotimet që do të jenë të hapura nga ora 07:00 – 21:00.

Në Maqedoninë e Veriut sot do të votojnë 716 persona me Covid-19 dhe në vetizolim, nesër 8.852 persona të sëmurë, të pafuqishëm dhe të sëmurë kronikë.

Komisionet zgjedhore komunale kanë pranuar 716 kërkesa nga persona pozitivë me koronavirusin ose në vetizolim për votim, që do të realizohet sot si pjesë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Mbi 770 kërkesa të tilla janë pranuar nga KZK-të, dhe nga gjithsej 80 komuna, do të votojnë 57 pacientë me Covid-19 dhe persona në vetizolim.

Nesër do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit, të sëmurët kronikë, personat në burgje, ata në shtëpitë e pleqve dhe ata nën arrest shtëpiak.

Sipas informacioneve të KSHZ-së, nga 9.499 persona të sëmurë, të pafuqishëm dhe me sëmundje kronike të regjistruar në KZK, janë pranuar kërkesat e 8.852 personave të cilët, në përputhje me udhëzimet e Komisionit, dorëzuan dokumentacionin e duhur mjekësor për të dëshmuar se ata kanë nevojë për të votuar në shtëpinë e tyre. Nesër, votimin do ta realizojnë këshillat zgjedhorë.

Për krahasim, në zgjedhjet e kaluara, për të votuar u regjistruan vetëm 3.540 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm.

Votimi do të realizohet të mërkurën, më 15 korrik, në 3.480 vendvotime në gjashtë njësi zgjedhore në vend.

Në 90 vendvotime ka më pak se 10 votues, të cilët sipas Ligjit do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në vendvotimin më të afërt.

Qytetarët do të jenë në gjendje të votojnë për 1.578 kandidatë nga 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kanë 1.814.263 persona.