6 muaj më parë

Tri arsye pse së pari duhet të formohet Qeveria, pastaj të votohet për presidentin

Tri arsye pse së pari duhet të formohet Qeveria, pastaj të votohet për presidentin

Qëkur kanë përfunduar zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kanë nisur debatet e dilemat nëse pas konstituimit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, së pari duhet të krijohet Qeveria, apo duhet votuar për zgjedhjen e presidentit.

Është fakt se Kushtetuta nuk ka qartësi lidhur me procedurën që duhet ndjekur në raste të tilla, megjithatë ekzistojnë tri arsye përse së pari duhet të formohet Qeveria, e më pas të votohet për presidentin.

E para:

Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë organizuar për shkakun se vendi është pa president të zgjedhur, por për shkak të rënies së Qeverisë si rrjedhojë e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku u tha se zgjedhja e Ekzekutivit të udhëhequr nga Avdullah Hoti është bërë në mënyrë jokushtetuese. Mbi bazën e këtij aktgjykimi, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, më 6 janar nxori dekretin për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë dhe e shpalli datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Votuesit iu drejtuan kutive të votimit, thjesht për t’i zgjedhur përfaqësuesit e një Kuvendi të ri – përkatësisht drejtuesit e një Qeverie të re. Pas përfundimit të këtij procesi, nuk ka sens të pretendohet që zgjedhja e presidentit të futet në procedurë fill pas konstituimit të Legjislaturës së tetë, duke e lënë votimin e Qeverisë së re, si të fundit. Partitë parlamentare e kanë për obligim që ta jetësojnë vullnetin e qytetarëve duke e përmbyllur fillimisht procesin e konstituimit të Kuvendit dhe të Qeverisë së re, e më pas t’i ndërmarrin hapat e tjerë, në përputhje me përgjegjësitë që i kanë.

E dyta:

Zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet pasi të jenë plotësuar disa parakushte në Kuvendin e ri. Një prej kushteve është krijimi i Komisioneve Parlamentare, e që për rastin konkret, duhet që Komisioni për Legjislacion të jetë funksional. Përgjegjësi e këtij komisioni është që të verifikojë nëse kandidatët për president, (pasi duhet të jenë së paku dy kandidatë që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të deputetëve), i plotësojnë kriteret për të qenë kryetar shteti. Kur është zgjedhur Atifete Jahjaga ka qenë nënkomisioni për mandate dhe imunitete ai që e ka bërë verifikimin e kritereve, ndërsa në rastin e Hashim Thaçit, këtë punë e ka kryer Komisioni për Legjislacion. Çështja është se komisionet parlamentare nuk mund të krijohen pa u zgjedhur Qeveria. Së pari duhet të dihen ministritë, pastaj të caktohen Komisionet Parlamentare si mbikëqyrëse të sektorëve përkatës.

E treta:

Nëse anashkalohen dy arsyet e para dhe zgjedhja e presidentit futet në procedurë para se të jetë formuar Qeveria e re, atëherë Kosova futet në një proces të komplikuar si asnjëherë më parë. Pyetja kryesore që shtrohet në këtë rast është: Çka nëse dështon zgjedhja e presidentit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh? A mund të mbetet në detyrë Qeveria Hoti e votuar nga legjislatura e shkuar dhe e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, dhe të dhunohet vullneti i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt? Përgjigjja duhet të jetë – Jo! Prandaj, krijimi i institucioneve të reja duhet shkuar sipas renditjes: Kuvendi-Qeveria-Presidenti. Ushtruesja e detyrës së presidentit qysh tani mund t’ia japë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit që partia fituese e nominon zyrtarisht për kryeministër. Ajo nuk ka pasur asnjë pengesë t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit fill pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, por nuk e ka bërë këtë. Procedurat nuk janë të komplikuara. “Interpretimet juridike” sipas interesave politike, janë ato që i bëjnë gjërat më të vështira.

AKTIV PRESS