Tre ministra u ndërruan dhe ende nuk nisën punimet për ndërtimin e autostradës Kijevë-Zahaq

3 javë më parë

Tre ministra u ndërruan dhe ende nuk nisën punimet për ndërtimin e autostradës Kijevë-Zahaq

Ka qenë shkurti i vitit 2019, kur ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pati njoftuar për përfundimin e projektit final të autostradës Kijevë- Zahaq.

Për këtë projekt gjigant të përmbledhur në 240 dosje, ai paralajmëronte se brenda ditësh do të hapej edhe tenderi për përzgjedhjen e punëkryesit të saj, shkruan AktivPress.

Punët në terren për realizimin e kësaj autostrade, sipas ish-kreut të MIT, pritej të fillonin brenda dy muajsh.

Kostoja e trasesë përllogaritej të ishte rreth 238 milionë euro, por mjetet për realizimin e saj u siguruan me kredi nga BERZH-i.

Ndonëse rruga parashihej të përfundonte për 36 muaj, kjo gjë nuk ndodhi. Në fakt, ndërtimi i kësaj traseje nuk nisi fare as në kohën e Lekajt, e as të pasuesit të tij në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, Arban Abrashit.

Për më tepër, në korrik të vitit 2020, ish- ministri Abrashi mori vendim për shkarkimin e “Njësive Zbatuese të Projekteve”, në mesin e të cilave ishte edhe njësia për mbikëqyrjen e projektit: “Ndërtimi i Autostradës Kijevë-Zahaq”. Këtë vendim, ai e mori duke u mbështetur në të gjeturat e Zyrës së Auditorit.

“Raporti i Auditorit ka gjetur se vendimet për themelimin e njësive për mbikëqyrjen e projekteve, “Ndërtimi i Autostradës Kijevë-Zahaq”, “Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë”, “Zgjerimi i hyrje-daljeve në Ferizaj, Prizren dhe Gjilan”, Zhvillimi i projektit të Autostradës Istog-Pejë-Deçan, Gjakovë, Prizren”, janë marr pa miratimin paraprak të Ministrisë së Financave, e cila kërkohet sipas ligjit”, thuhej në njoftimin që asokohe pati lëshuar MI-ja.

Sipas Auditorit, themelimi i këtyre njësive duke mos iu përmbajtur kërkesave rregullative mund të ndikonte në shpenzime të parregullta të buxhetit si dhe mangësi në menaxhimin financiar.

Ndërkohë, siç shkruan “AktivPress”, në nëntor të vitit të kaluar, Abrashi, zhvilloi një takim pune drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH në Kosovë, Neil Taylor, dhe Arianit Blakaj, bankier kryesor i këtij institucioni në Kosovë.

Në atë takim, Abrashi dhe Taylor diskutuan edhe për finalizimin e procedurave e përgatitjeve për shpalljen e tenderit për autoudhën Kievë-Zahaq.

Pas takimit, u tha se së shpejti do të shpallen procedurat e tenderimit për këtë projekt strategjik për vendin.

Në muajin dhjetor, Abrashi bashkë me Blakajn, vizituan rrugën Kijevë-Zahaq.
Aty, Abrashi e quajti lajm të mirë shpalljen e procedurave të tenderimit nga BERZH-i dhe Banka Evropiane Investive (BEI).

Ai tha se zgjerimi dhe rehabilitimi i kësaj rruge do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në shumë aspekte, por veçanërisht për bizneset, sepse do t’iu krijojë lehtësira.

“Sot janë shpallur procedurat e tenderimit nga BERZH-i dhe BEI për vazhdimin e zgjerimin Kijevë-Zahaq, dhe shpresojmë që shpejt do të nisin edhe punimet pasi të bëhet përzgjedhja e kompanisë. Falënderoj BERZH-in për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Ministrisë së Infrastrukturës në realizimin e shumë projekteve me rëndësi të madhe për vendin”, tha Abrashi.
Abrashi, më pas këtë e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha të MI-së, ndonëse në terren ai nuk pa asnjë lëvizje për sa kohë që ishte ministër.

Tash në krye të MI-së është Liburn Aliu.

Zyrtarët e kësaj ministrie kanë refuzuar të japin shpjegime në lidhje me autoudhën Kijevë-Zahaq.
Ndonëse janë të thirrur të përgjigjen për media, ata kanë vazhduar të heshtin nga pyetjet që u janë adresuar nga “AktivPress”.

Zyra për informim e kësaj ministrie njësoj ka vepruar edhe vitin e kaluar.

Një nga zyrtaret e kësaj ministrie, qe ‘shfajësuar’ se përgjigjet nuk po i kthejnë personat që janë të thirrur ta bëjnë këtë gjë.

Ndërkohë, gazeta “inFokus”, ka arritur të mësoj se ndërtimi i segmentit të Autostradës Kijevë – Zahaq pritet të nisë këtë vit.

Sipas MI-së, fillimi i ndërtimit varet nga kohëzgjatja e procesit të përzgjedhjes së kompanive ndërtuese.

E tanimë, thuhet se kanë nisur edhe shpronësimet për këtë pjesë e cila është e nevojshme për vazhdimin e ndërtimit të kësaj rruge.

“Në bazë të planifikimit koha e përfundimit të projektit është 3 vite, pas fillimit të punimeve. Procesi i Shpronësimit ka filluar për komplet trasenë e Autostradës është marrë Vendimi Përfundimtar për Shpronësim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovë, ndërsa sa i përket afateve të kompensimit të pronarëve kjo është në kompetencë të Departamentit të Shpronësimeve”, thuhet në përgjigjen e MI-së për InFokus.

Sipas zyrtarëve të MI-së dosja tenderuese është miratuar nga ana e EBRD-së dhe EIB si financuese të këtij projekti dhe se shpejti pritet edhe shpallja e tenderit për ndërtim.

Ndërsa ende nuk ka një shifër se sa do të kushtojë kjo autostradë./AktivPress/