Trajneri i Greqisë flet për ndeshjen kundër Kosovës: Nuk do të jetë aspak e lehtë

3 javë më parë

Trajneri i Greqisë flet për ndeshjen kundër Kosovës: Nuk do të jetë aspak e lehtë

Greqia nesër do të zhvillojë ndeshje në stadiumin “Toumba”, në të cilin me fillim nga ora 20:45 e pret Kombëtaren e Kosovës.

Ndeshja e nesërme i takon Grupit B të kualifikimeve drejt “Katar 2022”, dhe nuk do të jetë shumë e rëndësishme pasi që të dy kombëtaret nuk kanë arritur ta sigurojnë kualifikimin tutje, përcjell KosovaPress.

Para ndeshjes me Kosovën, trajneri i Greqisë John van’t Schip ka folur në një konferencë për media, ku i cilësoi këtë takim si tejet të vështirë, pasi që “Dardanët” kanë skuadër me lojtarë të mirë.

“Ata janë një skuadër e mirë. Tani ata kanë një trajner tjetër, janë një skuadër e rrezikshme me lojtarë të fortë dhe të shpejtë. Lojtarët e krahut i kanë agresivë. Duhet të jemi tejet të fokusuar, të mbajmë topin në posedimin tonë dhe ë pozicionohemi mirë”, tha Schip, shkruan KP, transmeton Klankosova.tv.

“Për të fituar, e përsëris që duhet të jemi të fortë. Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë, por ne dëshirojmë të bëjmë çdo gjë për të siguruar tre pikët”, shtoi trajneri i kombëtares greke.

Kosova dhe Greqia gjenden në Grupin B të kualifikimeve për në Botërorin “Katar 2022”, së bashku me Suedinë, Spanjën dhe Gjeorgjinë.

Kosova zë vendin e fundit në këtë grup me vetëm katër pikë të arkëtuara, pesë sosh më pak se Greqia që zë vendin e tretë në tabelë.