7 muaj më parë

Tragjedi strategjike e Prishtinës apo strategji tragjike e Edi Ramës?

Tragjedi strategjike e Prishtinës apo strategji tragjike e Edi Ramës?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në cilësinë e kryesuesit të radhës së OSBE-së, zgjodhi Moskën për të ndërmarrë një sulm të ri kundër udhëheqësve politikë të Kosovës.

Në emisionin “Real Story”, të transmetuar drejtpërdrejt nga kryeqyteti rus, ditën e vizitës së tij zyrtare atje, me 26.02.2020, ai e “pasuroi” edhe më tej arsenalin e etiketimeve të tij kundër tyre. Pjesë e këtij arsenali janë edhe këto: ekstremistë, idiotë, frikacakë, derdimenë provincialë, çfaktorizues të shqiptarëve, atdhetarë të shtirur, rrëfyes përrallash banale, kokëderra, dritëshkurtër, të vetëmbyllur, të vetëngurtësuar… që i bëjnë Kosovës atë, që asnjë armik nuk do t`ia bënte dot. Një fjalor i tillë fyes të kujton fletushkat propagandistike të Institutit të Sllavistikës në Moskë apo të Akademisë së Shkencave të Serbisë, kundër shqiptarëve. Ai i shërben Edi Ramës për formulimin e një numri akuzash të rënda kundër udhëheqësve të Kosovës.

Në pretencën e tij, “prokurori” Rama ngarkoi me përgjegjësi politikanët e Prishtinës “që kanë përdorur luftën për të minuar paqen, në funksion të pushtetit të tyre, duke bërë që Serbia të viktimizohet në sytë e të tjerëve” dhe të justifikohet, duke thënë: ne duam paqe, por shihni se si veprojnë shqiptarët.
Më tej, pretenca vazhdon: si pasojë e qëndrimeve të ngurta të Prishtinës zyrtare, Serbia po pranohet si viktimë edhe nga kancelaritë aleate të Kosovës.

Dhe vjen përfundimi logjik i pretencës: kjo është një tragjedi nga pikëpamja strategjike… që çon në vetvrasje.

Po në çfarë raporti është akuza e Ramës me të vërtetën, me faktet?

Në gjykimin tim, ajo nuk ka asnjë bazë. E vërteta e thjeshtë është se Serbia e ka paraqitur veten si viktimë e irredentizmit shqiptar, që në vitet `80, ndërsa në fund të shekullit të kaluar, sidomos, në vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht në ish-Jugosllavi, si viktimë të SHBA, të konspiracionit të Perëndimit me shqiptarët, të Vatikanit, të islamizmit radikal, etj, etj.

E vërteta tjetër, e njohur nga të gjithë, me përjashtim të z. Rama, është se, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 2008 dhe pas vendimit këshillëdhënës të GJND-së, me 2010, që pavarësia e saj nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, udhëheqësit e Prishtinës u ulën në tavolinën e bisedimeve me Beogradin dhe nënshkruan një sërë marrëveshjesh nga të cilat Serbia nxori përfitimet e veta në rrugën e integrimit europian. Por, kur Beogradi filloi të abuzonte me bisedimet dhe t`i paraqiste ato si një proces për statusin e Kosovës, gjoja, të papërfunduar, duke vënë në diskutim edhe kufijtë ekzistues, si dhe të lobonte për çnjohjen e saj, atëhere, me të drejtë, Prishtina reagoi dhe vendosi tarifat 100% ndaj mallrave serbe.

Nuk është i saktë as konstatimi se, si pasojë e qëndrimeve të ngurta të shqiptarëve, Serbia po pranohet si viktimë edhe nga kancelaritë aleate të Kosovës. Që në kohën e luftës, në vitin 1999, por edhe me 2008, me shpalljen e pavarësisë, ka patur kryeqytete europiane që ia kanë qarë “hallin” Beogradit dhe kanë njohur “simetrinë e fajit” të shqiptarëve dhe serbëve. Këtë qëndrim mbajnë edhe sot. Në qoftë se, aktualisht, vërehet një farë përafrimi i ndonjë aleati tonë strategjik me Beogradin, kjo nuk është pasojë e qëndrimit kryeneç të shqiptarëve të Kosovës, por, kryesisht, e ndryshimit të situatës gjeoplitike në rajon dhe botë. Që është kështu e dëshmon mbështetja amerikane për formimin e ushtrisë së Kosovës, pas vendosjes së tarifës 100% për mallrat serbe. Më afër së vërtetës është konstatimi, sipas të cilit, është Edi Rama ai që po e pranon Serbinë si viktimë, në raport me shqiptarët e Kosovës, jo kancelaritë aleate të shqiptarëve.

Nga Moska, Edi Rama bëri të njohura edhe disa teza, të cilat, po t`i nënshtrohen analizës kritike, rezultojnë jo vetëm si të pavërteta por edhe ne kundërshtim me intersat tona strategjike, kombëtare dhe shtetërore.

Ai pohoi se Rusia nuk është armike e shqiptarëve dhe se nuk mund të sillesh me të si me një armik. Në vlerësimin tim, Moska, historikisht, ka qenë dhe vazhdon të mbetet, sot e kësaj dite, një ndër armiqtë më të egër të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Teza tjetër e tij është se, për hir të neutralitetit, ai nuk do të diskutojë për Kosovën në takimet që do të ketë, në cilësinë e kryesuesit të radhës të OSBE-së. Rama e pranoi publikisht se në Moskë këtë çështje e hapi Lavrovi dhe se, po të mos e kishte ngritur ai, për Kosovën nuk do të thuhej asnjë fjalë.
Koncepti i neutralitetit është thjesht alibi për të mos u marrë me Kosovën. Me sa duket, njohja e Serbisë, nga ana e Ramës, si viktimë e shqiptarëve, ka dhënë efektet e veta edhe në punën e tij si kryesues i presidencës së OSBE-së, duke mos e “bezdisur” Beogradin me Kosovën në takimet e tij me ndërkombëtarët.

Krejt ndryshe pati vepruar Ivica Daçiçi, në vitin 2015, kur Serbia ishte kryesuese e radhës e OSBE-së. Atë nuk e pati penguar fare “neutraliteti” për të lobuar në çdo takim kundër pavarësisë së Kosovës.

A është realiste të pritet ndonjë ndikim pozitiv për Kosovën nga “neutraliteti” i Edi Ramës?

A është realiste të pritet që Rama të jetë i besueshëm tek vendet e tjera, duke folur për mirëkuptim, pajtim, marrëveshje, kur këtë nuk arrin ta bëjë me bashkëqytetarët e tij në Tiranë dhe me bashkëkombësit e tij në Prishtinë?

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve për çdo njeri normal është e qartë, jo!

Në bazë të këtyre argumenteve, mund të arrihet në përfundimin se nuk janë qëndrimet e shqiptarëve të Kosovës që po çojnë drejt një tragjedie strategjike, por është strategjia tragjike e Ramës, e cila, në qoftë se nuk i themi bashkarisht ndal, mund të dëmtojë seriozisht interesat shtetërore dhe kombëtare të shqiptarëve.