Tradita familjare e shndërruar në profesion të qëndrueshëm

1 muaj më parë

Tradita familjare e shndërruar në profesion të qëndrueshëm

Qysh si fëmijë, Albinot Gashnjani nga Prishtina e kishte pasur pasion stilimin e flokëve dhe kishte ëndërruar që një ditë ta shndërronte në profesion. Kjo dëshirë i ishte ngjallur duke parë xhaxhain e tij i cili deri në pensionim kishte punuar si frizer, nga i cili edhe i kishte marrë hapat e parë.

“Kam kaluar shumë kohë me xhaxhain tim i cili ka një përvojë të gjatë si frizer. Pasioni i tij për punë ka bërë që të më lind edhe mua dëshira të merrem me këtë profesion”, thotë Albinoti.

Në fillim të këtij muaji, Albinoti arriti që ëndrrën e tij ta shndërrojë në profesion dhe vend pune stabil. Falë mbështetjes së dhënë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS)-Agjencia e Punës e Republikës së Kosovës (APRK), në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, nëpërmjet Programit për Subvencionimin e Pagës, Albinoti ka arritur që të punësohet në biznesin, “Coiffure School SH.P.F” në Prishtinë.

Prirjet e tij për profesionin po i lënë përshtypje klientëve por edhe vetë punëdhënësit të tij, Hajredin Hajredinit i cili thotë se bashkëpunimi me MPMS-APRK dhe UNDP jo veçse i ka hapur rrugë një të riu si Albinoti që të sigurojë një vend pune por edhe talentin e tij ta shfaqë dhe kultivojë.

MPMS-APRK në bashkëpunim me UNDP, në fillim të muajit gusht 2020 shpallën të hapur Programin për Subvencionim të Pagës, Programin për Vetëpunësim dhe Programin për Trajnim në Punë për punëkërkues të riatdhesuar në Kosovë, me anë të së cilave po përkrahen këta punëkërkues në realizimin e ideve të tyre për biznes, sigurimin e një vendi pune stabil së sektorin privat, si dhe përfitim për trajnim në punë në ndërmarrje të sektorit privat./AKTIV PRESS/