Toka e shtetit nga 1 euro, Haxhi Avdyli kërkon arrestime dhe konfiskime

1 muaj më parë

Toka e shtetit nga 1 euro, Haxhi Avdyli kërkon arrestime dhe konfiskime

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka reaguar për privatizimet e tokave me çmime prej 1 deri në 3 euro.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Avdyli ka kërkuar që të arrestohen ata që kanë privatizuar toka me këto çmime dhe të iu konfiskohen këto toka, duke aluduar kështu për Ramush Haradinajn dhe kushëririn e tij, Nasim Haradinajn.

“Sistemi i drejtësisë në Ks thua është inekzistent. Po te egzistonte sot do kishte arrestime për privatizimet e tokave prej 1 deri ne 3 Euro, dhe normalisht konfiskime”, ka shkruar Avdyli.

Ndryshe, Kryetari i AAK’së në deklarimin e pasurisë në Agjensinë Kundër Korrupsion të vitit 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.

Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.

Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.

Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro.

Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.

Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro./Express