Tirana institucionalizon studimet për arbëreshët

1 javë më parë

Tirana institucionalizon studimet për arbëreshët

Me përfaqësues të institucioneve akademike dhe universitare të Republikës së Shqipërisë, Qendra për Studime dhe Publikime për Arbëreshët është përpjekja e parë e shtetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor të arbëreshëve të Italisë dhe të Kroacisë.

Për herë të parë studimet dhe kërkimet mbi arbëreshët do të jenë të institucionalizuara, shkruan sot Koha Ditore.

Me vulën e institucioneve të shtetit shqiptar, akademikë e studiues të shumtë do të promovojnë “ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit arbëresh”.

Krejt kjo përmes Qendrës për Studime dhe Publikime për Arbëreshët, e cila është themeluar të premten nga Këshilli i Ministrave të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Funksioni kryesor i kësaj qendre do të jetë “kryerja e studimeve për komunitetin arbëresh, promovimi, ruajtja e gjuhës dhe identiteti kulturor tek ky komunitet, si dhe me organizimin e aktiviteteve, seminareve dhe konferencave shkencore, të cilat do të kenë si fokus komunitetin arbëresh”.