Thaçit e Haradinajt u kërkohet të mos merren me shefin e ri të AKI-së pa u zgjedhur Kryeministri

2 javë më parë

Thaçit e Haradinajt u kërkohet të mos merren me shefin e ri të AKI-së pa u zgjedhur Kryeministri

Shpend Maxhuni të mërkurën ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke e lënë kështu pa drejtues një prej institucioneve më të rëndësishme sa i përket sigurisë së shtetit.

Sipas Ligjit Për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, thuhet që presidenti i Kosovës dhe Kryeministri, duhet të emërojnë bashkë shefin e ri të AKI-së brenda një afati kohor prej 20 ditësh që nga lirimi i pozitës.

Por a do të futen në një aventurë të përbashkët, Thaçi e Haradinaj, për ta emëruar shefin e ri të AKI-së, para krijimit të qeverisë së re e cila është në prag të themelimit dhe vetëm po pret certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se në asnjë mënyrë presidenti Hashim Thaçi e kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj nuk duhet të futen në një aventurë të tillë për të emëruar shefin e ri të AKI-së, pasi sipas tij çfarëdo iniciative e kryeministrit në ikje nuk do të ketë legjitimitet, pasi kreu i ri i Inteligjencës kosovare duhet të ketë besimin e plotë të kryeministrit të ri të Kosovës.

“Pozita e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë hyn në kuadër të funksioneve më të rëndësishme në fushën e sigurisë. Informatat inteligjente që kalojnë përmes kësaj zyre në bazë të ligjit ndahen me Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës për çështje që lidhen me sigurinë e vendit. Sikurse në bazë të ligjit, Drejtori i Agjencisë për punën e vet i përgjigjet drejtpërdrejtë Kryeministrit të vendit. Në këtë drejtim, çdo iniciative e Kryeministrit aktual në ikje dhe Presidentit të vendit nuk mund të ketë legjitimitet. Për më tepër, Drejtori i ri i Agjencisë duhet të ketë besimin e plotë të Kryeministrit të ri në ardhje si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit të këtij viti. Andaj, si Kryeministri Haradinaj ashtu Presidenti Thaçi nuk duhet në asnjë mënyrë të mendojnë një aventure të tillë të emërimit të Drejtorit të ri të Agjencisë në këtë fazë”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.

Tutje Miftaraj ka drejtuar edhe kritika në drejtim të Maxhunit, për faktin se ka dhënë dorëheqje në kohë kur shteti gjendet me një qeveri të dorëhequr dhe sipas tij në shtete të tjera mund të konsiderohet edhe si dezertim nga detyrat shtetërore.

“Kosova ka nevojë për një proces legjitim të emërimit të një personi me integritet, kredibil dhe profesionist të fushës në ketë pozitë. Dorëheqja e z. Maxhuni në këtë fazë kur kemi qeveri në dorëheqje, në një shtet normal mund të konsiderohet dezertim nga detyrat dhe përgjegjësitë shtetërore. Dorëheqja e tij ka ndikimin në mos funksionimin e institucioneve kushtetuese, respektivisht të një hallke të rëndësishme të sektorit të sigurisë”, ka përfunduar Ehat Miftaraj.

Lidhur me dorëheqjen e Shpend Maxhunit ndërkohë kanë qarkulluar skenarë të ndryshëm, megjithatë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media të mbajtur të enjten ka thënë se ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore.

Megjithatë as vetë Maxhuni e as AKI-ja nuk kanë treguar se cila ka qenë arsyeja zyrtare e dorëheqjes.