Thaçi në Hagë: Ky është çmimi për lirinë

3 javë më parë

Thaçi në Hagë: Ky është çmimi për lirinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se është i gatshëm që të ballafaqohet me pretendimet e ngritura nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

Para se të hynte në ambientet e Prokurorisë Speciale, që ka selinë në Hagë, Thaçi tha për gazetarët se ky është çmimi që duhet paguar për lirinë.

“Jam i gatshëm të ballafaqohem me këtë sfidë të re dhe të dal i suksesshëm për djalin tim, familjen time, popullin tim dhe shtetin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”, tha Thaçi.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Thaçi më herët ka deklaruar do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.