Thaçi mirëpret rezolutën amerikane për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

4 javë më parë

Thaçi mirëpret rezolutën amerikane për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka mirëpritur miratimin e rezolutës për ndriçimin e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, nga Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA.

“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij, kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu, siç shprehet Thaçi, “tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake”.

“Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend”, shkruan ai.

Dhoma e Përfaqësuesve, miratoi të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, tha se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve Bytyçi.